Rama për “Anadolu Agency”: Nga jeta si artist në jetën e re si politikan

04/05/2015 00:00

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk ka pasur ndërmend të hynte në politikë. “Kisha një jetë si artist, tani kam një jetë të dytë si politikan. Shpresoj se në jetën e ‘tretë’ të jem i lirë”, është shprehur ai, në një intervistë ekskluzive për “Anadolu Agency” (AA).

Në intervistë, Rama ka vënë në dukje bashkëpunimin dhe vëllazërinë natyrale të Shqipërisë me Turqinë. “Ajo që është normale, është të bëjmë më shumë bashkë, dhe një gjë të tillë mund ta bëjmë”, ka shtuar ai.

Kreu i qeverisë shqiptare ka shprehur dëshirën për të rritur bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve dhe ka ftuar investitorë turq për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se, Shqipëria ka potenciale për zhvillim në fusha, si energjetika, minierat, bujqësia dhe industria.

“Arti dhe politika nuk janë dy fusha që kundërshtojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Rama, “të paktën, arti është një liri individuale, ndërsa politika është një shprehje e vullnetit të punës në grup. Nëse arti është një dritare që shikon drejt të pamundurës, politika është përpjekja e bërë për të arritur diçka të mundur”.

“Pranimi i kritikave është i vështirë edhe në art”, ka shtuar Rama, teksa u shpreh: “Por të jesh politikan do të thotë të dish të fitosh ndaj kundërshtarit kur merr kritika”.

Ashtu sikurse intelektualët, shkrimtarët apo artistët të cilët kanë jetuar në kohën e një “regjimi të hekurt”, Rama thotë se ka filluar jetën e tij politike, duke sjell në pah kundërshtimet ndaj sistemit.

“Hyra në politikë pas ndërrimit të sistemit të regjimit. Kjo ishte një jetë e paparashikuar nga unë. Politika është diçka që më ka rënë në kokë. Kjo nuk është një jetë të cilën dua ta ndjek deri në pafundësi. Sepse politikanët e sotëm duhet të kuptojnë që koha e detyrës së tyre është e limituar, dhe njëkohësisht edhe koha e të qenit si drejtues e shkurtër. Kisha një jetë si artist, tani kam një jetë të dytë si politikan, shpresoj në jetën e tretë të jem i lirë”, është shprehur Rama.

Ai thotë se në jetën e tij të “tretë” shpreson që do të mund të ketë mundësi të flasë më shumë dhe më gjatë për artin dhe politikën.

Top Channel