Carly Fiorina, kandidatja femër e republikanëve në SHBA

04/05/2015 00:00

Pjesëmarrja e kandidateve femra në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa vjen e shtohet.

E fundit që ka njoftuar përfshirjen në këtë garë elektorale është Carly Fiorina, e cila e ka bërë të ditur vendimin e saj në emisionin “Good Morning America” të rrjetit informativ ABC News.

Ndoshta emri i saj mund të mos jetë shumë i njohur, por Fiorina ka qenë drejtuese ekzekutive e kompanisë së mirënjohur elektronike, Hewlett-Packard.

Fiorina do të kandidojë për republikanët dhe deri tani është e vetmja femër kandidate nga radhët e kësaj partie, ndërkohë që në krahun demokrat spikat Hillary Clinton.

Gjithësesi, para se të arrihet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 do të jenë ato brenda partive përkatëse që do të përcaktojnë dhe kandidatët përfundimtarë që do të përfaqësojnë dy palët, republikanët dhe demokratët.

Top Channel