Shfryhet “bomba” Doshi-Frroku, vetëm akuzë për “kallëzim të rremë”

04/05/2015 00:00

Deputetit Mark Frroku iu komunikua në spitalin e burgut ku po trajtohet akuza e “kallëzimit të rremë”, sikurse edhe deputetit Tom Doshi, me argumentin se kanë përgatitur videon me Durim Bamin për të nxitur prokurorinë që të niste hetimet për një komplot të mundshëm për vrasje.

Por edhe avokatët e tij e komentuan si të pabazuar këtë akuzë. “Prokuroria pranon, sepse kallëzimi i rremë kërkon krimin e kryer, se nuk ekziston një skenar për kryerjen e krimit, por akuzon për kallëzim të rremë. Po kështu, edhe dy të pandehurit e tjerë. Njëri prej tyre thotë moskallëzim. Të kujt? Të alibisë, thotë prokuroria”, deklaroi avokati Genc Gjokutaj.

Ndërkohë, brenda të njëjtës ditë deputeti Tom Doshi respektoi vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.

Deputeti Doshi u paraqit i shoqëruar nga dy avokatët e tij, ndërsa qëndroi për gati një orë e gjysmë në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme. Megjithatë, mbrojtja u shpreh se klienti Doshi do të vijojë betejën tij, me insistimin për të kërkuar marrjen e provave të reja në interes të hetimeve.

“Kërkesa për disa veprime hetimore të rëndësishme dhe për të marrë prova të rëndësishme për çështjen. Nëse prokuroria nuk i pranon kërkesat tona, atëherë ne do t’i drejtohemi gjykatës, që është organi kompetent për të vendosur”, deklaroi avokati Vladimir Meçi.

Të dy deputetët u deklaruan si të dyshuar për tre vepra, por prokuroria i rrëzoi akuzat e “deklarimit të rremë” dhe “kanosjes së dëshmitarit”, duke mbajtur vetëm njërën kundër tyre, atë të “kallëzimit të rremë”.

 

Top Channel