PS: Basha, as vizion e as ide për Tiranën

04/05/2015 00:00

Partia Socialiste, përmes deputetes Olta Xhaçka, ka akuzuar sërish kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës për mosmbajtje të premtimeve, duke e vënë këtë herë theksin tek krijimi i Rrjetit të Destinacioneve të Integruara Turistike të zonës së Tiranës.

“Fatkeqësisht edhe ky ishte një tjetër premtim që Lulzim Basha as kishte ndërmend ta mbante dhe as nuk e mbajti. Por që i ka kushtuar jo pak bizneseve e qytetarëve të Tiranës në të ardhura të munguara dhe në zhvillim të munguar”, ka thënë Xhaçka.

Ajo ka theksuar se, jo thjesht si kryeqytet, por edhe për shkak të pasurive të natyrës dhe trashëgimisë historike e kulturore që e rrethojnë, Tirana duhet të kishte një sektor të zhvilluar turizmi.

“Por fakti është se sot Tirana nuk krahasohet dot për numrin e turistëve as me qytete shumë herë më të vogla, por që ndryshe nga Tirana kanë pasur fatin të kenë kryebashkiakë që dinë të punojnë dhe duan të punojnë”, ka thënë deputetja e PS.

“Zhvillimi i turizmit natyrisht kërkon punë. Kërkon punë së pari për të evidentuar destinacionet dhe vlerat e tyre, për t’i promovuar ato, për të investuar në gjelbërim, infrastrukturë, kulturë dhe art për ta bërë më tërheqës qytetin. Kërkon vizion dhe ide. Lulzim Basha nuk ka as vizion e as ide”, ka shtuar Xhaçka.

Top Channel