Greqi, arrestohen 6 predikues të xhihadit. Bënë thirrje për “luftë të shenjtë”

04/05/2015 00:00

Shërbimet sekrete greke kanë ndaluar 6 persona, të cilët dyshohen se janë anëtarë të grupimeve radikale dhe ekstremiste xhihadiste.

Sipas mediave greke, 6 personat e ndaluar janë me origjinë siriane dhe u arrestuan në vendin e quajtur Faliraqi të Rodosit, një ndër zonat më të frekuentuara prej turistëve në ishullin grek të Egjeut.

Autoritetet konfirmojnë ndalimin e të dyshuarve, por deri tani nuk japin detaje për llojin e operacionit. Burime lokale thonë se, të arrestuarit u denoncuan prej muslimanëve të tjerë që jetojnë në zonë, pasi sipas tyre, ata predikonin xhihadizmin dhe bënin thirrje për “luftë të shenjtë” kundër të pafeve, siç i quanin ata banorët vendas dhe turistët e shumtë të ishullit.

Emigrantët muslimanë që jetojnë në zonë lajmëruan policinë, duke njoftuar se të ndaluarit, por edhe emigrantë të tjerë që ende nuk janë arrestuar, u bënin thirrje për xhihad dhe rrëmbim armësh, por nuk dihet nëse autoritetet parandaluan ndonjë sulm të mundshëm terrorist në territorin grek.

Pas kësaj, në zonë mbërriti një ekip i posaçëm i Shërbimeve sekrete greke, të cilët kryen edhe arrestimin e të dyshuarve, duke i dërguar ata në zyrat qendrore të tyre në Athinë për hetime të mëtejshme.

Gjithashtu, në zonë janë edhe agjentë të tjerë për gjetjen dhe ndalimin e të gjithë personave, që kryejnë aktivitet të dyshimtë pro Islamit. Prej burimeve policore greke, mësohet se Shërbimet sekrete, prej kohësh janë vënë në alarm për parandalimin e aktivizimit të celulave terroriste islamike në vend. Ata bashkëpunojnë me shërbimet amerikane dhe britanike, por edhe ato turke dhe izraelite.

Pak kohë më parë ishte ministri i Jashtëm grek që paralajmëroi Europën që, nëse nuk ndihmohet Greqia, mijëra xhihadistë do të drejtohen drejt Europës, deklaratë kjo që u kritikua ashpër prej liderëve europianë, por që duket se po vërtetohet frikshëm tashmë.

Në planin e masave, tashmë të njoftuar prej policisë vendase, parashikohen edhe përgjime telefonike, ndalime dhe kontrolle paraprake, në vendet ku grumbullohen muslimanë dhe emigrantë, si dhe deportimi i menjëhershëm i gjithë personave të dyshimtë.

Pak muaj më parë, Shërbimet sekrete greke arrestuan dy të dyshuar si terroristë islamikë, të cilët u dërguan në Belgjikë, si dhe 4 persona të tjerë me origjinë kurde dhe anëtarë të organizatës terroriste kurde “HPDC”.

 

Top Channel