Turizmi, vlerësimi i hoteleve do të bëhet nga një agjenci e huaj

04/05/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj prezantoi projektligjin për turizmin, që synon rritjen e numrit të turistëve dhe investimeve në këtë sektor.

Ligji parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese me asistencën e një kompanie të huaj. Por, kapitulli që ngjalli më shumë debate në komision ishte ai i investimeve, për të cilin opozita thotë se nuk parashikon një procedurë të qartë konkurimi për investitorët, që do të përfitojnë nga politika “një euro” e shtetit për dhënien e tokave publike.

“Jepen disa mundësi për sipërmarrjen, që nga ofrimi i tokave shtetërore, me afat 99 vite dhe sigurisht me procedurë të hapur tenderi, që do të përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Simbolikisht me ‘1 euro’”, deklaroi ministri Arben Ahmetaj.

“Bazuar në nenin 35, Ministria nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët, pa vendosur asnjë lloj kriteri. Që do të thotë se një mik i juaj vjen në Ministri dhe nënshkruan një marrëveshje me ju”, tha Helidon Bushati, deputet i PD-së.

“Ajo që thatë nuk është e vërtetë. Së pari dhe tepër e rëndësishme, çdo gjë është me prokurim”, theksoi ministri Arben Ahmetaj.

Deputetët ngritën shqetësimin e regjimit fiskal, që nuk ndihmon turizmin; si tatimi mbi vlerën e shtuar 20%, të cilën vendet e rajonit e kanë jo më shumë se 10%, ndërsa direktiva e BE-së thekson se ajo duhet të jetë jo më shumë se 15%.

“Personalisht do të prezantoj përpara qeverisë, besoj brenda dy javësh, një paketë ku përfshihet edhe ulja e TVSH-së”, deklaroi më tej Arben Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj tha se po negociohet me koncesionarin e Aeroportit “Nënë Tereza” për të hequr për dy muaj ekskluzivitetin mbi fluturimet, duke i hapur rrugë ndërtimit të dy aeroporteve në jug dhe një në veri.

Po ashtu, një tjetër nismë është ajo për të sqaruar kompanitë detare të sigurimit, mbi disa harta ku Shqipëria rezulton territor i minuar, çka ndalon jahtet dhe kroçerat të ndalojnë në bregdetin shqiptar.

Top Channel