Studimi: 37.2% e kosovarëve duan të ikin. Kryesisht të rinj 18-34 vjeç

04/05/2015 00:00

Gatishmëria e qytetarëve të Kosovës për të emigruar jashtë vazhdon të mbetet ende në nivele të larta.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë ka prezantuar profilin e emigrantëve potencialë dhe, sipas rezultateve, del se 37.2 për qind e kosovarëve janë të gatshëm për t’u larguar nga shteti i tyre.

Sipas Arbëresha Loxhës, nga GSJP, të rinjtë mes moshës 18 deri 34 vjeç përbëjnë numrin më të madh të qytetarëve të interesuar për të emigruar.

“Të dhënat tregojnë se gatishmëria për të migruar vazhdon të mbetet e lartë, përkundër deklarimeve të vazhdueshme të zyrtarëve të Bashkimit Europian, se azili nuk do t’u njihet qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës është cilësuar si institucioni më përgjegjës për migrimin eventual të tyre, nga 88 për qind e qytetarëve të anketuar”, tha Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Loxha, po ashtu tha se vala e shqiptarëve të gatshëm për të emigruar tani është shpërndarë edhe në viset e tjera shqiptare, me theks të veçantë në Shqipëri, ku sipas saj, arsyet janë kryesisht të njëjta.

Ndërsa Delfinë Elshani ka prezantuar rekomandimet për qeverinë, e cila sipas saj, duhet të ketë një qasje më aktive në negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal.

“Qeveria duhet të fokusohet në negociimin dhe nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal me vendet e BE-së, SHBA-të, Australinë, Kanadanë, si dhe vendet e tjera që kanë nevojë për fuqi punëtore me kualifikime të ulëta dhe të mesme. Në këtë mënyrë, ministria përkatëse duhet të ofrojë shkollim afatshkurtër profesional, në mënyrë që të përgatisë kandidatët potencialë për punësim sezonal”, tha Delfinë Elshani, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Sipas rezultateve të anketës së këtij grupimi, qytetarët e gatshëm për të emigruar vijnë në përqindje afërisht të njëjtë, si nga zonat urbane, po ashtu edhe nga ato rurale.

Ndërsa arsyet që do të parandalonin emigrimin, sipas anketës, janë liberalizimi i vizave, qeverisja më e mirë dhe punësimi i anëtarëve të dytë të familjes.

 

Top Channel