Prishtinë, ministrat e Arsimit mblidhen në një konferencë rajonale

04/05/2015 00:00

Në Prishtinë ka filluar punimet Konferenca Rajonale për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Me ftesë të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të qeverisë së Kosovës, Arsim Bajrami, pjesëmarrës në konferencë janë edhe homologët e tij nga Shqipëria dhe Maqedonia, ministrja Lindita Nikolla dhe ministri Abdilaqim Ademi.

Qëllimi i kësaj konferencë është forcimi i bashkëpunimit rajonal, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave ndërmjet Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Tre ministrat e Arsimit vlerësuan si të rëndësishme dhe të nevojshme një konferencë të tillë, pasi të tre vendet aktualisht janë në procesin e rishikimit të ligjit për Arsimin e Lartë.

“Është një mundësi e shkëlqyeshme e këmbimit të përvojave në reformat e Arsimit të Lartë, sepse jemi të vetëdijshëm, që një reformë e suksesshme e tillë krijon një stabilitet politik, social dhe ekonomik”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Ai shtoi: :Në Republikën e Kosovës nuk ka proces më të rëndësishëm qeveritar në këtë 6-mujor të punës, sesa reforma e Arsimit të Lartë. Jemi të vendosur të krijojmë stabilitet, rend akademik dhe ligjshmëri në sistemin e Arsimit të Lartë”.

“Jam plot shpresë, që kjo konferencë do të ofrojë përpara tre ministrave të vendeve tona një agjendë të re pune, se si ne të përmirësojmë, të mbështesim profesoriatin, universitetet dhe studentët, me një kryefjalë të madhe që është cilësia; cilësia e diplomave, e kërkimit shkencor, e institucioneve të arsimit të lartë, të krahasueshme me standardet europiane të cilësisë”, tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri.

“Konferenca e sotme, e cila ka për temë Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, vjen në momentin e duhur për 3 vendet tona, sepse në to por edhe në rajon, për momentin po zhvillohen aktivitete thelbësore për transformimin e Arsimit të Lartë në përgjithësi. Arsimi është sfera, e cila ndihmon integrimin rajonal, por gjithashtu krijon edhe kushte e parakushte për integrimin e vendeve tona dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit, Maqedoni.

Në konferencë u bë e ditur se, tre ministrat janë duke punuar në mënyrë që studentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë të lëvizin pa kufizime administrative në universitetet e të tria vendeve. Ata u shprehën të vendosur, që ta lënë politikën jashtë universitetit dhe të ndëshkojnë ato universitete, që nuk veprojnë mbi bazën ligjore.

Ndërkohë, anëtarët e komisioneve që kanë punuar në hartimin e ligjit për Arsimin e Lartë kanë diskutuar lidhur me përafrimin e kurikulës arsimore.

Në konferencë, të pranishëm ishin edhe anëtarë të Akademive të Shkencave, rektorë e zyrtarë të tjerë të arsimit të të tria vendeve. Në të u bë e ditur gjithashtu, që një konferencë e ngjashme do të mbahet edhe në Shkup, në mes të muajit Qershor.

 

Top Channel