Reagon avokati mbrojtës i Zeqos: Do ta vërtetojmë pafajësinë

04/05/2015 00:00

Pas artikulimit nga Prokuroria e Fierit për dënimin me burg të kryebashkiakut Baftjar Zeqaj, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ka reaguar edhe avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha.

Avokati Visha ka deklaruar se është ndjekur me këmbëngulje ky qëndrim i Prokurorisë dhe se, sipas tij, nuk pritej gjë tjetër përveçse kësaj kërkese, e megjithatë pala mbrojtëse do të bëjë gjithçka ka në dorë për të folur më 18 maj dhe për të argumentuar të kundërtën e asaj që pretendon institucioni i hetimit dhe akuzës.

Sipas Vishës, Zeqaj është i pafajshëm dhe kjo do të vërtetohet nga pala mbrojtëse në seancën e 18 majit.

Prokuroria e Fierit kërkoi këtë të hënë dënimin me burg për kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, por edhe për 7 punonjës të tjerë të këtij institucioni, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin me 2 vjet e gjysmë burg të kryetarit të Bashkisë dhe të 6 funksionarëve të tjerë: Agron Begaj, Fatmir Kajolli, Ramiz Hoxhaj, Alfred Boçova, Selman Braçe dhe Esmeralda Kapllanaj. Vetëm për shtetasen Mimoza Kollçinaku, akuza ka qenë “falsifikimi i dokumenteve” dhe dënimi i kërkuar është 4 vjet burgim.

 

Top Channel