“Ringjallet” Princeshë Diana…

04/05/2015 00:00

Mirë se vjen Princesha e Kembrixhit! Vajza e Kate Middletone është fëmija më i diskutuar në botë këto ditë. Të shtunën, në orën 8:34 të mëngjesit, ajo solli në jetë vajzën e saj të parë.

Në pritje të fëmijës mbretëror ka qenë e gjithë bota, ndërsa shumë fansa ishin mbledhur jashtë spitalit duke pritur lajmin. Vajza është fëmija e dytë për çiftin Kate dhe William, pas Princit George.

Që në fundjavën e parë të jetës së saj, vajza e vogël ka pushtuar të gjitha faqet e para në gazetat dhe revistat britanike, e jo vetëm. Kompanitë e basteve nisën menjëherë të kuotonin emrat e mundshëm të saj, që më në fund u zbulua sot: Charlotte Elizabeth Diana.

Ajo është Princesha e parë e Kembrixhit prej vitit 1833. Mary Adelaide njihej si “Princesha e njerëzve” dhe ka qenë ndër princeshat më të njohura për filantropi.

Ndërkohë, të gjithë i gëzoheshin lajmit të bukur të një gazete proqeveritare në Rusi, që ka përhapur një teori konspirative për anëtaren më të re të familjes mbretërore. Pretendimet e “Komsomolskaya Pravda” janë se fëmija nuk ka lindur atë ditë që është raportuar, pasi Kate Middleton dukej shumë e bukur, jo sikur të ishte një nënë që sapo kishte sjellë në jetë një fëmijë. Pretendimet shkojnë edhe më tej, pasi ka nga ata që besojnë se Kate nuk e ka lindur vetë fëmijën, por që ajo ka qenë një nënë surrogate dhe duhet të ketë mbajtur një bark fals, për t’u treguar njerëzve që ishte shtatzënë.

Ndërsa vetëm disa ditë përpara se të lindte fëmija mbretëror, një lajm “bombë” tronditi “Buckingham Palace”. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, revista “The Globe” shkroi se Princi William nuk është fëmija i parë i Diana Spancer. Ai, në fakt, ka edhe një motër disa muajshe më të madhe, që quhet Sarah. Vajza sekrete e “Lady D” sot është 34 vjeç dhe jeton në një mënyrë të fshehtë, në një fshat të vogël të New England, në SHBA.

Sipas asaj që shkruan “The Globe”, ajo ka lindur nga një fekondim artificial i materialit gjenetik të marrë nga Princi Charls dhe Diana dhe më pas është vendosur në barkun e gruas së mjekut të familjes. Vajza sekrete u lind në Tetor 1981, 8 muaj përpara lindjes së Williamit. Megjithatë, kjo është një histori e vjetër, pasi edhe më parë është folur për një vajzë të fshehtë të “Lady D”.

Pavarësisht këtyre thashethemeve, një gjë mund të thuhet me siguri; që Kate Middleton ka plotësuar ëndrrën e mamasë së Princit William për të pasur një Princeshë.

Si Dukeshë e Kembrixhit, ajo prezantoi para botës vajzën e saj. Ajo e mbante në krahun e djathtë, e në dorën e majtë tërhiqte vëmendjen unaza e martesës së Princeshë Dianas. Sikur donte të tregonte se, në këtë pozitë do të dëshironte të ishte vet ajo, duke i dhënë Princit Charls vajzën që ata dëshpërimisht dëshironin.

Top Channel