Rreth 50 persona kanë hyrë me forcë, këtë të hënë, në selinë e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, duke marrë nën kontroll këtë institucion fetar.

Grupi është udhëhequr nga Myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, i shkarkuar javën e kaluar nga Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame, organi më i lartë i këtij institucioni.

Por, ky vendim kundërshtohet nga i shkarkuari dhe përkrahësit e tij, të cilët tashmë kanë formuar Këshillin, që do ta drejtojë përkohësisht këtë institucion, që përfaqëson komunitetin mysliman në Maqedoni.

“Nga sot, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë do të udhëhiqet nga një Këshill i përkohshëm, me në krye Myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabani. Brenda këtyre ditëve do të formohet komisioni financiar, i asistuar nga auditues profesionalë, të cilët do të konstatojnë gjendjen faktike financiare në Bashkësinë Islame të Republikës së Maqedonisë, pas së cilës xhemati dhe besimtarët do të jenë të njoftuar në detaje për situatën brenda BFI-së”, tha Ibrahim Shabani, ish-myfti i Shkupit.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi nuk ka dashur të komentojë ngjarjet brenda institucionit që drejton. Ai, gjatë ditës nuk është paraqitur në zyrë, e cila kontrollohet nga kundërshtarët e tij.

Ndërkohë, policia ende nuk dhënë detaje për rastin dhe nuk dihet nëse ka arrestuar ndonjë person për uzurpimin e objektit të Bashkësisë Fetare Islame.

Problemet brenda këtij institucioni dolën në sipërfaqe javën e kaluar, pas një zënke që ndodhi në një tubim fetar mes kreut të Komunitetit Mysliman në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, dhe Myftiut të shkarkuar Ibrahim Shabani.

 

Top Channel