Çernobil, 29 vite pas shpërthimit

04/05/2015 00:00

29 vite më parë, bota do të përballej me katastrofën bërthamore më të madhe në historinë e njerëzimit. Ukraina ishte në faqet e para të gazetave botërore.

Shpërthimi në reaktorin nuklear të Çernobilit bëri që miliona njerëz të mbanin frymën. Si pasojë e përhapjes me shpejtësi të resë radioaktive, asgjë nuk ishte më si më parë. Përgjatë gjithë natës, zjarrfikësit dhe skuadrat e shpëtimit luftuan me flakët, tymin dhe copat e grafitit, që dilnin nga bërthama e reaktorit numër 4.

Në më pak se një javë pas shpërthimit, kontinenti europian u vesh i tëri nga reja vdekjeprurëse. Fillimisht ajo përshkoi Bjellorusinë, më pas Suedia ishte vendi i parë jashtë Bashkimit Sovjetik, që dha alarmin për rritjen e nivelit të elementëve të rrezikshëm.

Asokohe, mjekët rekomanduan që prodhimet e bulmetit dhe zarzavatet të mos konsumoheshin, sepse ishin bartës të joneve radioaktive. 36 orë pas incidentit nisi evakuimi i qyteteve.

Tre punëtorë vdiqën menjëherë gjatë shpërthimit, ndërsa 28 të tjerë brenda vitit. Mirëpo pasojat afatgjata ishin të paimagjinueshme. Deri më tani, rreth 6000 njerëz janë të regjistruar me tumore të ndryshme, pasi kur ishin fëmijë thithën jodin radioaktiv.

Sot Ukraina, fatkeqësinë e dikurshme po e përdor. Ju ka shkuar ndonjëherë në mend të bëni turizëm në vendin më famëkeq bërthamor të kontinentit? Një ide e çmendur, apo jo? Mjafton një maskë gazi dhe pajisjet matëse dhe, falë një ciceroni mund të vizitosh Çernobilin.

Turizëm atomik, mbase një term i padëgjuar më parë, por fakt është se një botë e tërë ende mban kujtimet e një kohe, kur nuk konsumohej bulmeti, apo onkologët regjistronin numër rekord të sëmurësh me kancer.

Top Channel