Ata janë drejtuesit e automjeteve, që bien më së shumti prè e grabitësve. Në të gjitha format, vendet, oraret apo metodat e mundshme. Madje, në disa raste kanë gjetur edhe vdekjen, në tentativën për të mos u dorëzuar.

Taksistët janë më të ekspozuarit ndaj çdo lloj rreziku, veçanërisht në rastet kur “klientët” nuk duan t’u japin parà për shërbimin, por t’ua marrin edhe ato që kanë nxjerrë gjatë ditës, me dhunë dhe nën kërcënimin e tytës së armës.

20 Mars 2010 – Persona të maskuar dhe të armatosur i zënë pritë një taksisti 37-vjeçar në aksin Korçë-Goricë. Altin Kulla po kthehej nga Liqenasi paraditen e 20 Marsit 2010,  kur u ndalua nga persona të maskuar, të cilët, pasi i kanë marrë paratë që kishte me vete, e qëlluan me armë zjarri duke e lënë të plagosur. Aksi ku ndodhi ngjarja është i njohur për grabitjet e shpeshta në zonë.

21 Nëntor 2010 – Më 21 Nëntor 2010, familjarët denoncojnë zhdukjen e taksistit Fredi Talelli nga Devolli i Korçës. Pas 8 ditësh kërkimi, më 29 Nëntor, trupi i pajetë i taksistit, i qëlluar me një plumb në kokë, u gjet në një kanal mes fshatrave Koritë dhe Podgorie. Hetimet intensive çuan në arrestimin e dy të rinjve nga Bilishti, të cilët e kishin ekzektuar taksistin me qëllim grabitjen. Rasti i Talellit është ndër rastet më të rënda të grabitjes së taksistëve.

30 Dhjetor 2010
– Ditët e fundit të 2010-s shënojnë dy grabitje të njëpasnjëshme taksistësh në Tiranë, të kryera nga të njëjtët persona. E para ndodhi më 29 Dhjetor në zonën e 9-katësheve, ndërsa tjera më 31 Dhjetor, prapa Muzeut Kombëtar po në kryeqytet. Tre të rinj u arrestuan në lidhje me ngjarjet, ku gjatë grabitjes së automjeteve dhe sendeve personale i plagosën rëndë me thikë taksistët.

26 Prill 2013 – Një taksist mbeti i plagosur rëndë në “lagjen 14”, në Shkozet të Durrësit, më 26 Prill 2013. I. Xhamani u grabit nga një banor i zonës, me të cilin kishte njohje të mëparshme. Ai u mbajt peng për afro dy orë dhe, pasi i dha grabitësit të gjithë shumën e parave që kishte me vete, u plagos rëndë dhe u dhunua me mjete të forta.

18 Shkurt 2014 – Duke u hequr si klientë, dy grabitës dhunuan e më pas lanë më mes të katër rrugëve një taksist nga Durrësi. Ata e kishin marrë 62-vjeçarin nga qyteti bregdetar me destinacion Tiranën dhe, përgjatë gjithë rrugës ishin sjellë normalisht me të. Vetëm në afërsi të Kasharit, ata i kanë grabitur paratë dhe automjetin, duke e lënë taksistin në mes të katër rrugëve.

Top Channel