Reja e Çernobilit mbi Shqipëri, ja si e kujton familja Kazaferi

04/05/2015 00:00

Blerina Kazaferi ishte vetëm 6- muajsh, kur shpërtheu Çernobili. Reja atomike hyri në Shqipëri më 1 Maj të vitit 1986, ndërsa në Europë lëvizte prej një jave. Autoritetet e kohës kishin njoftuar popullatën, që të mos konsumonin perimet apo bulmetet, sepse rreziku ishte shumë i lartë.

Për mamanë e Blerinës, Florën, të flasësh për atë kohë është e vështirë, pasi duhet t’i hiqte vajzës së porsalindur qumështin.

“Kam qenë në shtëpi me lejen e lindjes së vajzës, pikërisht në vitin kur kjo leje ishte bërë gjashtëmujore. Më qëlloi që të shkoja pas një jave në punë dhe aty më pyet inxhinierja nëse i kisha dhënë qumësht vajzës. Ne në atë kohë kishim një rregull që merrnim nga një litër qumësht, që na e ruante shteti. E kisha marrë dhe ia kisha dhënë vajzës”, tha Flora Kazaferi.

Në fillim ajo nuk dinte gjë për ngjarjen. Më pas, një kolege i tha çfarë kishte ndodhur dhe se një pjesë e ushqimeve nuk konsumoheshin më.

“Zarzavatet, të them të drejtën mbaj mend që i kemi përdorur, kryesisht lëngun e karrotës, që i jepnim vajzës. Pastaj kishim edhe pula, sepse ishim në shtëpi private në atë kohë. I jepja edhe vezën e pulës, por besoj se i kemi ngrënë thuajse të gjitha. Edhe pse si shoqëri arritëm deri aty sa i thoshim njëra-tjetrës mos dil shumë në diell. Më kujtohet që nisa të mendoja në atë kohë nëse e kisha nxjerrë vajzën jashtë, siç bëja shpesh për shëtitje. Madje nisëm edhe të mos blinim patate, sepse vinin nga Rusia”, tha Flora Kazaferi.

Sot ngjarja komentohet nëpërmjet fotove dhe bisedave familjare, por në atë kohë frika ishte e madhe. Xhemali, babai i Blerinës e mban mend mirë njoftimin nga Televizioni Kombëtar.

“E morëm vesh nëpërmjet televizorit, aq një stacion kishim. Aty u dha një njoftim, ku na thoshin të kishim kujdes, sepse ishte e rrezikshme. Pata fatin në atë kohë, kisha një shok që lëvizte drejt dhe nga Bullgaria, i cili më solli disa kuti me qumësht pluhur, me të cilat e shtymë për disa kohë. Të them të drejtën me gjëra të ziera e kemi rritur, se ka qenë situatë e vështirë. Më shumë për fëmijët, s’kishin çfarë të hanin, mirë ne të tjerët që e shtynim me groshë apo ndonjë pulë me patate”, thotë Xhemal Kazaferi.

Familja vazhdon ta kujtojë me humor sesi shmangu ushimet, ndërsa në të gjithë Shqipërinë nuk munguan rastet e sëmundjeve të ndryshme, që u shfaqën si pasojë e kontaminimit të ushqimeve apo të shiut radioaktiv.

Top Channel