NATO, stërvitje në detin e Veriut. Stimulon mbrojtje ndaj nëndetëseve

04/05/2015 00:00

NATO ka nisur një nga stërvitjet më të mëdha në histori të kërkimit për nëndetëse në detin e Veriut, këtë të hënë, duke ftuar gjithashtu edhe Suedinë jo anëtare të aleancës atlantiko-veriore për herë te parë, për shkak të tensioneve të rritje mes Rusisë dhe fqinjëve të saj veriorë.

Më shumë se një duzinë anijesh nga 11 vende po marrin pjesë në stërvitjen “Dynamic Mongoose”. NATO pritet të stimulojë raste zbulimi dhe ofensive ndaj nëndetëseve, në një nga detet më armiqësore, në kanionet nënujore të thyera por të cekëta, me rryma të forta dhe të shpejta detare dhe me një ndotje zanore të pazakontë për shkak të ujërave që rrjedhin nga fjordet e Norvegjisë.

Tensionet janë rritur së tepërmi që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina vitin e kaluar, kryesisht mes Moskës dhe tri shteteve të tjera të detit Baltik; Lituani, Letoni, Estoni; të cilat kërkojnë mbështetje me kapacitete mbrojtëse nga vendet nordike, pasi janë të frikësuara se pas Krimesë mund të bëhen ato objektiva të “aneksimeve” ruse, duke ditur ekzistencën e minoriteteve të mëdha ruse, pjesë të popullsisë së tyre.

Finlanda ka kapur sinjale për një nëndetëse të paidentifikuar përgjatë brigjeve të saj gjatë javës së kaluar, duke ngritur edhe akuza të rënda, ndërkohë që Letonia si vend anëtar i NATO-s, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, bëri të ditur gjithashtu se kishte kapur një nëndetëse ruse pranë ujërave të saj.

Avionë luftarakë rusë i janë afruar gjithashtu dhe në mënyrë të përsëritur hapësirave ajrore nordike dhe baltike gjatë muajve të fundit, madje edhe duke i shkelur ato, një veprim që ka nxitur kundërpërgjigje nga mbrojtjet ajrore të vendeve respektive.

“Rusia ka të drejtë të ketë dalje në këtë det, ashtu si dhe ne”, tha nënadmiral Brad Ëilliamson, komandant i stërvitjes së nisur nga NATO. “Por, incidentet që kemi parë nuk janë aspak në përputhje me rregulloret ndërkombëtare dhe përbëjnë shkaqe për t’u shqetësuar”.

“Kjo stërvitje nuk është një kundërpërgjigje ndaj tyre, por ato i japin një rëndësi të veçantë kësaj”, tha Ëilliamson nga kuverta “USS Vicksburg”, anija udhëheqëse e stërvitjes.

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve nordike kanë dënuar me fjalë tepër të rënda Rusinë gjatë muajit të kaluar, duke e quajtur atë kërcënimin më të madh ndaj sigurisë së Europës, duke detyruar Rusinë gjithashtu të reagojë dhe të thotë se marrëdhëniet më të ngushta të Finlandës dhe Suedisë me NATO-n përbënin “një shqetësim special”.

“Rusët kanë shtuar aktivitetin e tyre, madje së tepërmi, ndaj dhe të njëjtën gjë kemi bërë edhe ne”, tha Kai Nickelsdorf, komandant i nëndetëses “U33” të Gjermanisë, që po luan rolin e një nëndetëseje “armike” në këtë stërvitje. Janë 4 nëndetëse pjesëmarrëse në to, përfshi një suedeze, të cilat do të kenë për detyrë t’u afrohen anijeve mbi ujë në mënyrë të paidentifikueshme, sikur të donin t’i sulmonin ato.

Edhe pse Norvegjia ndan një kufi detar tepër të gjatë me Rusinë në detin Arktik, ajo ka hedhur poshtë rritjen e aktivitetit rus së fundi.

FOTO GALERI
1/3
Nëndetësja gjermane, e cila luan rolin e "armikut"

Top Channel