Ancelotti “injoron” historinë: Duam finalen

04/05/2015 00:00

Carlo Ancelotti është shfaqur i qetë në konferencën para ndeshjes kundër Juventusit. Ai ka thënë se dëshiron një tjetër finale, dhe se lojtarët ndihen të motivuar. Italiani ka treguar respekt për ish-skuadrën e tij, duke thënë se e meriton që të jetë në top katërshen e Europës.

“Juve është një skuadër e fortë, ditë më parë fitoi kampionatin e katërt radhazi dhe kjo do t’i japë më shumë besim. Ata duan që të kenë topin, por një gjë të tillë duam edhe ne. Kemi ardhur për të sulmuar, por do të mbrohemi më mirë se në ndeshjet tjera”, ka thënë Ancelotti.

Tekniku italian nuk ka zbuluar emra. Ai ka treguar se Benzema nuk ka arritur të rikuperohet në kohë, ndërsa e qetëson Bale dhe Ramos, që po e bind në mesfushë. “Unë e di se kush do luajë nesër, por nuk do t’ua them. Benzema s’do jetë, por Chicharito po kalon në një formë të mirë, Ramos mund të luajë në mesfushë, ndërsa Bale është 100% gati”, deklaroi Ancelotti.

Real Madrid ka shënuar vetëm një fitore në Torino, por kjo nuk e shqetëson shumë Ancelotti-n i cili ka besim tek lojtarët e tij. “Kjo ndeshje nuk ka lidhje me historinë. Të dyja skuadrat kanë ndryshuar, kanë lojtarë të tjerë, filozofi loje të ndryshme, por qëllimin e njëjtë. Juve nuk është surprizë, Juve ka mundësi të njëjta për ta fituar këtë garë, siç kanë gjithë skuadrat tjera”, u shpreh italiani.

Top Channel