Kosovë, komunat me shumicë serbe pranojnë buxhetet e ndara nga qeveria

04/05/2015 00:00

Pas shumë ankesave e refuzimeve, duket se komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë lëshuar pè, të paktën sa i përket arkës shtetërore.

Qeveria e Kosovës miratoi këtë të hënë buxhetin për komunën e Mitrovicës Veriore, Zveçanin, Leposaviçin dhe Zubin Potokun, në vlerë rreth 17 milionë euro. Kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se, secila komunë ndarazi, në seancat komunale të 27 Prillit, kanë miratuar buxhetet në përputhje me ndarjet që ka bërë qeveria për vitin 2015.

“Siç jeni të informuar, 4 komunat veriore nuk e kanë aprovuar buxhetin e vitit 2015, kështu që më 29 Dhjetor Kuvendi ka miratuar buxhetin historik për ato. Brenda buxhetit ka qenë një tabelë në Excel, që ka paraqitur dhe mos harmonizimin e asaj që është aprovuar dhe ligjit për buxhetet”, tha Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave.

Më tepër parà nga buxheti i shtetit ka fituar Komuna e Mitrovicës Veriore, rreth 6 milionë e gjysmë; e pasuar nga Leposaviçi, me 4 milionë e 400 mijë euro; për Komunën e Zveçanit janë ndarë afro 3 milionë euro, po aq sa edhe për Komunën e Zubin Potokut. Kryetarët e komunave në veri, deri më sot kanë mbajtur qëndrim refuzues, me arsyetimin se janë të pakënaqur me shpërndarjen e buxhetit, që ka bërë qeveria e Kosovës.

Top Channel