Avokati i Popullit reagon për dhunën në Kukës: E papranueshme!

04/05/2015 00:00

Avokati i Popullit ka reaguar pas dhunës së regjistruar këtë të hënë gjatë një proteste në qytetin e Kukësit.

Duke dënuar dhunën e pashembullt, Avokati i Popullit u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë rastin në fjalë dhe të vendosin përpara përgjegjësisë punonjësin e policisë që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Në njoftimin e Avokatit të Popullit thuhet se “të tillë punonjës nuk kanë vend në radhët e Policisë së Shtetit”, ndërsa shtohet se ditën e martë drejt Kukësit do të niset një specialist i këtij institucioni për të hetuar ngjarjen.

Gjatë protestës së organizuar nga shoqëria civile janë shënuar përleshje fizike mes protestuesve dhe policisë.

Dhuna është përshkallëzuar kur policia ndaloi katër persona, mes tyre edhe organizatorin e protestësë.  Shoqërimi i tyre duket se ka ardhur pasi policia e Kukësit nuk ka dhënë leje për organizimin e kësaj proteste, të paralajmëruar disa ditë më parë, në Rrugën e Kombit.

Protestuesit bëjnë me dije se ata kishin kërkuar leje në polici për protestë në Rrugën e Kombit, por policia nuk u ka dhënë leje protestuesve për të bllokuar vetëm njërën nga korsitë e rrugës dhe vetëm për 10 minuta.

Qëllimi i protestës ishte falja e debive dhe kamatë-vonesave të energjisë elektrike, si dhe disa kërkesa të tjera, ndër të cilat, banorët e Kukësit të mos paguajnë taksë për Rrugën e Kombit, kur ajo të jepet me koncesion.

Top Channel