Edicioni i dytë i “Tirana open”

04/05/2015 00:00

Në datën 6 maj, ora 12:00, dyert e Pallatit të Kongreseve do të çelen për zhvillimin e Festivalit të Librit dhe Arteve “Tirana Open”.

Letërsia, artet pamore, muzika, arkitektura dhe filmi dokumentar përfshihen në këtë edicion të dytë. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e Festivalit bënë të ditur edhe risitë e tij.

“E reja e parë, sipas meje, është mbledhja e institucioneve të artit në një grupim të caktuar, në një kulm. Ndërsa qëllimi tjetër me më shumë rëndësi është që ‘Tirana e hapur’ të shndërrohet në një portal të rëndësishëm në komunikim dhe në përmbajtje. Kjo do të thotë që PR të mos bëhet vetëm këtu, por edhe me institucionet jashtë, nga gazetarë të huaj, të cilët janë të mobilizuar dhe po punojnë për këtë event”, tha Vladimir Myrtezai, drejtor i “Tirana Open.

Sa i përket librit…

“Do të kemi shkrimtarë të ftuar, ndër të cilët surpriza e madhe është Roberto Saviano, por gjithashtu edhe shkrimtarë të tjerë, jo vetëm të huaj, edhe vendas. Kjo, sepse është konceptuar si një bashkëveprim midis shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj, por edhe shkrimtarëve në përgjithësi me lexuesit e tyre. Do të takohen me lexuesit pikërisht nga data 6 deri më 11 maj, kur edhe mbyllet pjesa e librit në këtë Festival”, tha Arlinda Dudaj, drejtore e “Tirana Open”.

Në “Pamur”, dedikuar arteve pamore bashkëkohore, do të paraqiten mes të tjerësh punime të artistit afrikano-jugor, William Kentridge, si dhe do të zhvillohet një konkurs videosh nga artistë vendas e të huaj.

Sa i përket muzikës janë 3 grupet muzikore që do të performojnë: italianët “Cantieri Teatrali Koreja”, “Fanfara Tirana”, ndërsa nga Prishtina “Gipsy Groove”.

Pjesa e filmit: do të jenë kryesisht dokumentarë, por dhe një seksion me 4 filma izraelitë. Ndërsa arkitektura paraqitet me një festival vjetor të komenteve dhe ideve të jetës urbane dhe hapësirës së ndërtuar.

 

Top Channel