Miodrag Millosheviç ka marrë pjesë në 120 aksione ndërtimi. Në kohën e Jugosllavisë ka ndërtuar rrugën deri në Tivar, kurse tani, e vetmja shpresë i ka ngelur tek ikonografia e udhëheqësit, që vdiq 35 vjet më parë, Josip Broz Tito.

Në të shpresa nuk ka, por gjithçka ka pasuar, ka qenë kopje e keqe e kopjeve të vazhdueshme dhe udhëheqësve pa popull.

“Jeta atëherë ka qenë absolutisht më e mirë dhe s’do të kthehet kurrë më. As fëmijët nuk do të jenë të sigurt si dikur. Në atë kohë mund të flinim edhe në park, të qetë dhe të sigurt”, tha Miodrag Millosheviç, simpatizues i Titos.

Serbët, por edhe shumë të tjerë që kanë luftuar për shkatërrimin e Jugosllavisë, megjithatë nuk mbajnë mend periudha më të ndritshme se Tito. Në Shtëpinë e Luleve, në muzeun e varrezës, mijëra turistë dhe njerëz, që tashmë kanë vetëm kujtime, kanë shkuar për ta nderuar ish-udhëheqësin jugosllav.

“Këto ditë kemi shumë turistë nga vendet e ish-Jugosllavisë dhe bllokut lindor. Kurse ditët e tjera priten nga Evropa Perëndimore, Amerika, Kina dhe Japonia”, tha Ana Radiç, zëdhënëse e Muzeut Jugosllav.

Edhe kroatët, që luftuan 4 vjet për shkëputje, kanë ardhur me autobus nga Rijeka e largët, për ta kujtuar këtë ditë.

“Gjithë jetën ia ka kushtuar mirëqenies së njerëzve. Në kohën e tij është ndërtuar gjithçka kemi sot. Më pas kanë ndodhur privatizime, shpenzime dhe vjedhje”, tha Ivan Zvllashnik, simpatizues i Titos nga Kroacia.

Varrimi i Titos ka qenë një nga varrimet më të mëdha në histori, me mbi 200 udhëheqës të botës. Pavarësisht se ishte komunist, Tito luajti rol balancues në Luftën e Ftohtë dhe ngriti ekonominë e vendit. Politika, tashmë nacionalisto-progresive, nuk e kujton shumë. Muzeu Jugosllav ka 110 mijë vizitorë në vit dhe është kryesori në Serbi. Për një pjesë të madhe, Josip Broz mbetet një ëndërr e jetuar.

Top Channel