Azilantët shqiptarë në Dortmund, të vendosur nëpër kontenierë

04/05/2015 00:00

Top Channel sjell pamjet e vendit ku qëndrojnë shqiptarët që kërkojne azil në Gjermani dhe më konkretisht në qytetin e Dortmundit.

Në pamjet e sjella përmes shërbimit “Ti Raporton” nuk bëhet fjalë për një kamp të mirëfilltë, por për disa kontenierë të përshtatur për banesa nga autoritetet vendore të Dortumundit, ku strehohen ata që mbërrijnë në këtë qytet për të kërkuar azil.

Mësohet se në këto shtëpi të improvizuara jetojnë rreth 200 persona, të cilët strehohen nga 4 deri në 6 persona në një dhomë.

Ajo që shihet nga pamjet është mungesa e tualeteve në dhoma, që detyron personat që jetojnë në këto kontenierë të ecin për më shumë se 200 metra deri te tualetet e përbashkëta. Po ashtu është dhe një kuzhinë e përbashkët në të cilën gatuajnë azilkërkuesit.

Mësohet se këto kontenierë janë vendosur kohët e fundit pas fluksit të papritur të shqiptarëve që kërkojnë azil dhe mungesës ose zënies së hapësirave të caktuara nëpër kampet e strehimit të personave që kërkojnë azil në Dortmund.

Top Channel