Mbretërit ilirë, Teuta e Genti e kishin si rezidencë Lisusin e lashtë, më pas Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi në Lezhë princërit e Arbrit, e po aty zgjodhi edhe të prehej.

Identiteti i kësaj zone nis që në kohë të lashta, për t’u ruajtur brez pas brezi. E pasuar, jo thjesht përmes monumenteve të kulturës e zbulimeve të shumta arkeologjike, por edhe trashëgimisë folklorike, një nga vlerat e jashtëzakonshme të kësaj zone. Gjithçka mbijetoi, edhe kur këto vlera u vunë në rrezik nga kohë të turbullta e të çartura për kulturën e identitetin historik.

“Në 24 vite tranzicioni të pafundëm ka qenë e vështirë jo thjesht të ruhet, por edhe të flitet për trashëgiminë kulturore, identitare e historike. Shumëçka u zhduk, u mbulua, apo edhe u harrua. E megjithatë, Lezha ka nisur përpjekjet për të shpluhurosur rrënjët e saj, ato rrënjë në të cilat ka të vendosur të shkuarën, por edhe të ardhmen”.

Dukej si një rrugë pa fund e pa krye. Njerëz të zhgënjyer, një pjesë të larguar, grupe të shpërndara e kostume tradicionale të shitura për arsye ekonomike. Një kaos, nga i cili vështirë se mund të prodhoje diçka. Ai nisi si një mision për të organizuar grupin për në Festivalin e Gjirokastrës, por pas pak kohësh u kthye në një mision të intelektualëve për të rinxjerrë në dritë këto gjurmë identitare. Në shumë zona, duke shfrytëzuar shkollat u ngritën grupet e para. Kështu nisi, me hapa të vegjël, pa fonde, por me shumë pasion e dëshirë. Rrugëtimi ynë përmes tyre nis nga shkolla e mesme në Zejmen.

“Ashtu siç motivet e dasmave, motivet e rasteve të tjera të gëzimeve familjare, edhe me veshjet e tyre karakteristike këto krenohen, sepse janë përhumbur. Ka 25 vjet, që as që bëhet fjalë t’i gjejmë kund, vetëm të sajuara”, tha Gjyste Frangaj, drejtuese e grupit në Zejmen.

Ishte e vështirë të ngrihej ky grup, që sot, nën sytë e Preng Çupit, themelues i Ansamblit “Çiftelia”, ka nisur sfidën e gjatë të ruajtjes së traditës së Zejmenit. Një traditë, ku shkrihen elementë tradicionalë e kulturorë të Mirditës e zonës së Pllanës.

Më tej në Shën Koll, grupi nis nga vogëlushët te më të mëdhenjtë. Mes shtytjes pasionante të mjeshtrit të madh të këngës dhe autorit Mark Gjoka.

Këtu gërshetohen elementë folklorikë të Malësisë me ato të Mirditës, të cilat, edhe pse jo pa vështirësi, janë asimiluar mirë nga bartësit më të rinj.

“Në momentin që ne u kemi komunikuar, që do të ringremë grupin artistik janë përgjigjur me shumë kënaqësi dhe do t’i pëgëzoj përzemërsisht këta djem dhe vajza të mrekullueshme, të cilët me shumë dëshirë këndojnë dhe interpretojnë këngën burimore popullore”, tha Sanije Dembaçaj.

Shkollës 9-vjeçare të Shëngjinit, emri i peshon përmes veprës së At Zef Pllumit. Brenda ambienteve të saj, pesha merr jehonë mes tingujve e zërit kumbues e të thellë të 105-vjeçarit Gjok Nonaj. Familja Nonaj, traditën e pason brez pas brezi, duke ruajtur në këtë mënyrë arketipin më të lashtë të veglave kordofonike, lahutën.

Sot, rrudhat e Gjokës hidhen si rrënjë te fëmijët më të vegjëel. Ai ka një moshë mëse njëshekullore, ndërsa ata janë jo më shumë se 10 apo 11 vjeç, e dikush ndoshta edhe më pak.

“Plaku na e ka trashëguar neve, ne do ua trashëgojmë fëmijëve tanë. Edhe kjo, për të ruajtur traditën, se ka shumë rëndësi të madhe. Veglat, muzika mësohen edhe në shkollë, por ky instrument është i vetmi që mësohet me trashëgimi dhe është shumë i vështirë për t’u mësuar në shkollat e muzikës”, tha Gjeto Nonaj.

Ka pasion mes tyre, një pasion i pafajshëm e i vërtetë, që shpesh na ishte dukur i humbur, bashkë me atë muzikë vlerëshumë e zëvendësuar nga tingujt e çmendur komercialë.

“Fëmijët, sot janë të fokusuar më shumë te rrymat e ndryshme të muzikës. Por është mëkat për mua të harrohet tradita jonë, e popullit tonë”, tha Mirolinda Gjoka.

Veshjet e kallmetit, xhupi i gruas mirditore, vathet, stravecja e nuses, si dhe kësula e burrave, sipas studiuesve janë me prejardhje ilire. Xhubleta e Malësisë mendohet se shkon deri 4 mijë vjet më parë. E po ashtu instrumentat muzikore, nga briri te çiftelia, këngët e vallet, pjesë e një trashëgimie po aq të hershme sa rrënjët ilire.

Pikërisht këtë kostumografi tradicionale autoktone të Lezhës, me mëse 3 mijë vjet mbi shpinë, banorët e trevës së Kallmetit e kanë mbledhur si një nismë e çmuar e një komuniteti të jashtëzakonshëm, që përfaqësohet në shkollën “Frang Bardhi”.

“Është e vërtetë, që është i vetmi grup me nxënës shkolle dhe fitues për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, me numrin që do luajmë në provat gjenerale në Gjirokastër. Kjo na bën më me shpresë, që të vazhdojmë edhe më tej në të ardhmen, që të zhvillohen dhe të freskohen këto vlera”, tha Petrit Marku, drejtor i shkollës “Frang Bardhi”, Kallmet.

Grupi i Kallmetit, e mes tyre edhe ai ku shkëlqejnë veshjet me motive mirditore të fshatit Rraboshtë.

Në fund, në fshatin Dajç, grupi më i vogël, por me një zemër të madhe, që përfaqëson një zonë me tradita të padiskutueshme, siç është Zadrima. Një kostumografi e rrallë, një stil i veçantë i këngës folklorike, e gjithçka tjetër me vlerë të vërtetë autoktone.

Lezha ka një pasuri të rrallë, që gjallon në 5 zona: Zadrimë, Malësi, Mirditë, Kallmet e Pllanë. Secila prej tyre përfaqëson një hallkë, e të gjitha së bashku përfaqësojnë një lidhje me historinë. Një histori, të cilën mjeshtri i madh Mark Gjoka, i ndjekur nga figura të njohura të kësaj zone, mbështetur nga pushteti vendor në Lezhë e komunat bashkëngjitur, kanë nisur ta risjellin në jetë.

“Dua t’u bëj një thirrje të gjithë atyre, që mendojnë se kjo traditë dhe kjo trashëgimi duhet të mbijetojë. I bëj thirrje komunitetit lezhjan, komunitetit artistik, i bëj thirrje biznesit, pushtetit vendor dhe pushtetit qëndror, që patjetër duhet të marrin përsipër që këtë traditë e trashëgimi, jo vetëm ta ruajmë, por të përpiqemi ta kthejmë në një destinacion të fuqishëm të turizmit kulturor. Është një dhunti, një dhuratë, që na kanë dhënë me shumë dashuri brezat që ikën, natyra dhe Zoti”, tha Mark Gjoka.

Kjo është sot një sfidë për çdo zonë të Shqipërisë, çdo zonë që po përpiqet me vështirësi të ringrejë vlerat identitare të saj. Shumë të tilla kanë mundur të ruajnë vlerat e të parëve, të tjera i kanë humbur së bashku me grykësinë shtetare, që shpesh ka menduar për gjithçka, përveç se për kulturën e trashëgiminë folklorike.

Top Channel