AAK feston 15-vjetorin. Haradinaj: Të zhvillojmë Kosovën

04/05/2015 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk u themelua për qëllime episodike, as për një ditë, por për të jetuar aq sa do të jetojnë edhe përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për shtet ligjor, demokratik e me zhvillim ekonomik.

Kështu tha lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në shënimin e 15-vjetorit të themelimit të partisë që ai drejton, ku ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e dy partive tjera opozitare, Vetëvendosjes dhe Nismës për Kosovën.

Haradinaj para të pranishmëve ka falënderuar secilën dhe secilin që ishte dhe është pjesë e Aleancës në rrugëtimin e përbashkët në këto 15 vjet, por tha se AAK-ja nuk u formua për një ditë, por për të jetuar aq sa jetojnë përpjekjet e qytetarëve për shtet ligjor e demokratik.

“Sot prej nesh, që bëmë 15 vjet jetë së bashku, prej atyre që u bashkuan në rrugëtimin tonë, i ftoj qytetarët e Kosovës të na bashkohen. Aleanca është e tyre, do të jetë gjithnjë. Aleanca e ka vërtetuar se nuk është themeluar për qëllime episodike, e përkohshme, njëditore, por për të jetuar me Kosovën, aq sa jetojnë përpjekjet e qytetarëve për shtet ligjor, demokraci e zhvillim ekonomik”- tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së foli për tri etapa. Dy të parat, çlirimi dhe pavarësia kanë ndodhur, por ajo që duhet të ndodhë tani, tha ai, është qeverisja e mirë. Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës kanë shumë nevojë edhe për AAK-në, edhe për të tjerët që punojnë për demokraci e zhvillim.

Top Channel