Itali, Parlamenti miraton reformën elektorale të Renzit

04/05/2015 00:00

Parlamenti italian i ka dhënë ‘dritën jeshile’ propozimit të Kryeministrit Matteo Renzi për ligjin e ri zgjedhor, përkundër kundërshtimeve nga opozita si dhe disa prej anëtarëve të Partisë Demokratike.

Ky projektligj u diskutua prej më shumë se një viti, ndërsa bënte pjesë në axhendën e kryeministrit italian për reformat politiko-ekonomike. Ligji do t’i japë efektet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa bazohet në përfaqësimin proporcional, por që do i japë më shumë kompetenca partisë fituese.

Renzi ka thënë se ky ligj do t’i sjellë Italisë një stabilitet politik, pas ndryshimit të 4 qeverive në dekadën e fundit. “Përmes këtij sistemi do garantojmë një stabilitet politik, që i hap rrugë zhvillimit ekonomik dhe kulturor” – ka thënë kryeministri të hënën.  

Ndërkohë, Renato Brunetta ka dhënë aryset e partisë “Forza Italia” për kundërshtimin e këtij projektligji, edhe pse në fillim e kishte mbështetur. “Përmes këtij ligji rrezikohet që të bëhemi shtet partiak, prandaj edhe vendosëm që t’i themi jo”, – u shpreh Brunetta, që ka ftuar Presidentin Mattarella të mos e dekretojë.

Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa rezultatet treguan se 40 deri 50 deputetë të partisë së Renzit e kishin kundërshtuar këtë projektligj.

Top Channel