Teksas, policia dhe FBI bastisin shtëpitë e agresorëve. Dyshojnë për lidhje me xhihadizmin

04/05/2015 00:00

Policia e Arizonës në SHBA dhe FBI kanë ushtruar kontroll në apartamentin e një prej dy të armatosurve të qëlluar për vdekje gjatë së dielës, pasi siç pretendohet ata hapën zjarr në ambientet e jashtme të një ekspozite në Teksas me karikatura të Profetit Muhamed.

Policët dhe agjentët federalë kishin planifikuar sigurinë e këtij eventi shumë muaj më parë nga hapja e saj në periferinë e Dallasit, në Garland, ekspozitë e organizuar nga Nisma amerikane për Mbrojtjen e Lirive (AFDI), një organizatë me theks ndaj fjalës së lirë që përshkruhet gjithashtu edhe si një grup i urryer, e cila ka paguar gjithashtu edhe 10 mijë dollarë për siguri shtesë.

Agresorët, të cilët plagosën një roje të sigurisë përpara se të qëlloheshin për vdekje nga një oficer policie, i cili ka përdorur armën e tij të detyrës, mbanin veshur mjete mbrojtëse e zotëronin edhe një municion të madh armësh në makinën e tyre, bëri të ditur zëdhënësi i policisë së Garlandit, Joe Harn. Megjithatë, asnjë bombë nuk u gjet në mjetin e tyre.

Dy zyrtarë të zbatimit të ligjit, në kushtet e anonimiteti bënë të ditur se njëri prej agresorëve të vdekur është Elton Simpson, nga Arizona, i cili ishte nën monitorimin e FBI-së që prej vitit 2006 dhe është dënuar edhe më parë për mashtrimin e agjentëve të FBI-së, pasi u fshehu dëshirën për t’iu bashkuar xhihadistëve të dhunshëm në Somali.

Një zyrtar i FBI-së tha se agjentët shkuan në apartamentin ku Simpson jetonte në Arizona. Incidenti në periferinë e Dallasit ishte një “jehonë vazhdimësie” e sulmeve dhe kërcënimeve në vendet e tjera të Perëndimit, kundër karikaturave të Profetit Muhamed. Në Janar, disa të armatosur vranë 12 persona në zyrat e revistës satirike franceze, “Charlie Hebdo”, në Paris, në atë që e konsideruan si hakmarrje për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed.

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimin në lidhje me lidhjet e mundshme mes agresorëve dhe grupeve ndërkombëtare terroriste, bëri të ditur një burim për “Reuters”. Edhe Presidenti amerikan, Barack Obama, raportohet t’u ketë kërkuar këshilltarëve të tij ta mbajnë të përditësuar me hetimin në fjalë, deklaroi për reporterët zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, gjatë një fluturimi me “Air Force One”.

Top Channel