Peleshi: Qeveria nuk ka bllokuar fondet për Tiranën. Bashkia, performancë e dobët

04/05/2015 00:00

Zv.kryeministri Niko Peleshi deklaroi se qeveria nuk i ka bllokuar fondet për Bashkinë e Tiranës, përkundrazi, i ka rritur ato.

Duke folur këtë të hënë në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga, zv.kryeministri tha se ka patur njër rritje progresive fondi i dhënë për Bashkinë e Tiranës, por shtoi se vetë bashkia ka patur një performancë tejet të dobët në mbledhjen e të ardhurave.

“Bashkia e Tiranës ka një performancë skandaloze në realizimin e të ardhurave. Ka realizuar të ardhurat në 62 për qind. Kjo përkthehet në 40 milionë dollarë më pak. Pra, Bashkisë së Tiranës i mungojnë 40 milionë dollarë. Imagjinoni sa projekte do të realizoheshin… Qeveria i ka dhënë të gjitha paratë. Transferta e qeverisë në buxhetin e Tiranës ka qenë më e madhe në vitin 2014 dhe më 2015, ka qenë më e madhe prapë. Më shumë të ardhura edhe sa vetë qeveria Berisha”, tha Peleshi.

Zv.kryeministri foli edhe për programin “Rilindja Urbane”. Ai tha se programi ka kaluar përmes 3 etapave kryesore.

“Unë kam koordinuar elementin e tretë të Rilindjes, që është transformimi. Rilindja Urbane është një program dhe që në ditën e parë e kemi nisur me dhënien fund të tranzicionit. Nisëm me vënien nën kontroll të territorit. Duhet të marrë fund informaliteti në territor, ndaj e nisëm që në muajt e parë. Ka patur Fond për Zhvillimin e Rajoneve, por qeveria e kaluar e përdorte këtë fond tek ujësjellësat dhe rrugët rurale. Në ndryshim nga qeveria e kaluar, që përqendrohej në projekte shumë të vogla, ne jemi përqendruar në projekte të mëdha. Buxheti nuk ëshë shpërndarë sipas kërkesave të një deputeti, por janë projekte ku është patur parasysh edhe sa para do të investohen dhe investime që zgjojnë interesin për investimet private”, u shpreh Peleshi.

Sipas tij, programet e zhvillimit kërkojnë të gjallërojnë qytetet për të shmangur boshatisjen e tyre.

Top Channel