FSHF: Vendimi i CAS pritet të dalë në fund të muajit maj

04/05/2015 00:00

Vendimi i shumëpritur nga CAS për ndeshjen Serbi-Shqipëri pritet të jepet në datë 29 maj. Ky lajm është bërë i ditur nga FSHF-ja.

Në një lajm të postuar në faqen zyrtare në internet të Federatës Shqiptare të Futbollit thuhet se vendimi do të bëhet publik në këtë datë, por mund të ketë edhe vonesa në varësi të hetimeve që po realizon kjo gjykatë sportive.

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre për shkak të dhunës që u ushtrua nga tifozëria e vendasve, kundrejt futbollistëve tanë.

“Ne kemi shpresë për një qëndrim dinjitoz dhe korrekt ndaj Kombëtares sonë. Një qëndrim në favor të Shqipërisë është në favor të futbollit, duke i thënë ‘STOP’ urrejtjes dhe racizmit, në sportin më të dashur në botë”, thuhet në shkrimin e postuar nga FSHF-ja.

Seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë për palën shqiptare u zhvillua në 17 prill, ndërkohë që një ditë më parë ishte dëgjuar pala serbe.

Top Channel