“King Roger” rikthehet në Londër

05/05/2015 00:00

Që kur opera “King Roger” u luajt në Londër, kanë kaluar 40 vjet. Kjo vepër e kompozitorit të famshëm polak, Karol Szymanowski është rikthyer në kryeqytetin britanik duke mbledhur së bashku emra të njohur të skenës ndërkombëtare, mes tyre, edhe tenori i shquar shqiptar Saimir Pirgu, i cili zbulon më shumë detaje rreth projektit.

“Unë kam rolin e pastorit, i cili predikon një jetë më të mirë, suksesin, dashurinë, bukurinë dhe në fund të historisë arrin të shkatërrojë gjithë mbretërinë. Me pak fjalë, hyn në mbretërinë e tij si një pastor dhe shkatërron të gjithë mbretërinë. Ky është një nga rolet më interesant që unë kam realizuar”, shprehet tenori shqiptar.

Ky kast i përzgjedhur ndoshta ka qenë edhe çelësi i suksesit për regjisorin e kësaj vepre, i cili ka marrë edhe vlerësimet më të mira për realizimin. Kasper Holten i besoi Pirgut rolin e njërit prej protagonistëve.

“Është një produksion i operës mbretërore të Londrës, që quhet ‘Krol Roger’ e kompozitorit polak, Szymanowski, me regji të Kasper Holten, e dirigjuar nga mjeshtri i madh Antonio Pappano. Solist kryesor është Mariusz Kwiecien, si edhe unë”, shprehet Pirgu.

Me entuziazëm ai rrëfen se si i ra në duar një projekt i tillë:

“Unë kam kënduar disa herë në Londër dhe kur më është kërkuar ky rol që unë nuk e njihja, që në momentet e para impakti me rolin ishte shumë pozitiv. Duke qenë se është një produksion i ri krijoi tek unë një interes të veçantë”.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare e kanë komentuar thuajse pa asnjë rezervë këtë premierë botërore. Por duket se puna e madhe e kastit ka sfumuar edhe ato që mund të ishin kleçkat e veprës së Szymanowski-t.

“Gjuha ka qenë nga vështirësitë më të mëdha. Fatmirësisht, unë jam muzikant dhe nuk e kam pasur të vështirë të mësoja këtë lloj muzike kaq të vështirë, por për shkak të gjuhës më ka impenjuar goxha. Unë mund të them se është një nga gjuhët më të vështira që ekziston në botë”, tha Saimir Pirgu për vështirësinë që ka hasur me gjuhën.

Premiera “King Roger”, e cila do të vazhdojë të luhet në operën mbretërore deri në datën 19 maj, do të pasohet me projekte të tjera artistike për Saimir Pirgun. Tenori do të jetë pjesë e skenës shqiptare ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët.

“Në vijim do të jem përsëri në Operën e Berlinit dhe në Operën e Vjenës. Në Shqipëri, po mundohem, në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe me institucione të tjera, që të zhvillojmë diçka edhe aty”, përfundon Pirgu.

 

Top Channel