Hillary Clinton, e gatshme të dëshmojë para Kongresit për ngjarjet në Bengazi

05/05/2015 00:00

Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton është shprehur e gatshme për të dëshmuar para Kongresit amerikan për ngjarjet e ndodhura gjatë kohës që ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Në veçanti, Clinton do të flasë rreth sulmet ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vitin 2012, në Bengazi, si dhe në lidhje me postën e saj elektronike gjatë asaj kohe.

Kryetari i Komisionit, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Trey Gowdy i Karolinës së Jugut, tha muajin e kaluar se dëshironte që Clinton t’u përgjigjej pyetjeve në dy seanca publike rreth sulmit në Bengazi, por avokati i zonjës Clinton tha se ajo është e gatshme për të dëshmuar në një seancë. Ai tha se nuk kishte “asnjë bazë, logjikë apo precedent për një kërkesë të tillë të pazakontë”.

Në një letër drejtuar zotit Trey Gowdy, avokati thotë se Clinton është plotësisht e gatshme për të qëndruar aq sa është e nevojshme për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të komisionit, por ajo nuk do të dëshmojë në dy raste të ndara.

Ish-sekretarja e Shtetit, aktualisht kandidate për Presidente e Partisë Demokrate në zgjedhjet e 2016-s, ndodhet në qendër të një debati lidhur me përdorimin e emailit privat për çështje zyrtare, gjatë periudhës kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Gjatë sulmit terrorist të 2012-s ndaj ambasadës amerikane në Benghazi të Libisë u vranë ambasadori amerikan Chris Stevens dhe tre amerikanë të tjerë. Republikanët thonë se zonja Clinton duhet të kishte bërë më tepër si Sekretare Shteti për mbrojtjen e tyre.

 

Top Channel