Nepal, gjenden trupat e pajetë të rreth 100 personave

05/05/2015 00:00

Rreth 100 trupa të pajetë janë gjetur nga vullnetarë lokalë dhe nga policia në Nepal pas ortekut që goditi zonës më 25 prill, i cili u shkaktua nga një tërmet i fuqishëm që la me mijëra të vrarë.

Zyrtarët vendas kanë bërë të ditur se operacionet e kërkimit janë ende duke vazhduar në dëborë dhe akull për gjetjen e dhjetëra e më shumë personave të humbur.

Ndërkohë, qeveria vendase i kërkoi ekipeve të huaja të ndërpresin operacionet e kërkim shpëtimit, pasi shpresat për gjetjen e personave të gjallë nën rrënojë janë venitur. “Ata mund të largohen. Nëse janë të specializuar për pastrimin e rrënojave atëherë mund të qëndrojnë”, tha një zyrtarë për “Reuters”.  

Trupat e pajetë, kryesisht fshatarë vendas, por edhe turistë, u gjetën në një fshat rreth 60 kilometra në veri të kryeqytetit.

Deri tani në Nepal janë raportuar mbi 7 mijë viktima dhe mbi 14 mijë të plagosur, ndërsa autoritetet vendase nuk e përjashtojnë mundësinë e rritjes së numrit të vdekjeve në mbi 10 mijë vetë.

Top Channel