SHBA, një nga atentatorët e Teksasit, i dyshuar për terrorizëm

05/05/2015 00:00

Një nga dy personat e qëlluar për vdekje në eventin e mbajtur në Teksas për ekspozimin e karikaturave të profetit Muhamed ka qenë i dyshuar për lidhje me terrorizmin.

Kështu tregojnë disa dokumente gjyqësore, sipas të cilave, Elton Simpson ka qenë nën mbikëqyrje që prej vitit 2006 dhe në vitin 2010 ishte dënuar për përgatitje për të udhëtuar në Somali.

Ai banonte në një apartament në Arizona, që e ndante me atentatorin tjetër Nadir Soofi. Të dy ata u qëlluan pasi hapën zjarr në një qendër konferencash, në afërsi të Dallasit.

Familja e Simpson ka deklaruar se nuk kishte parë asnjë shenjë tek ai se po përgatitej të kryente një sulm të tillë.

“Jemi të sigurtë që shumë qytetarë në vend janë kuriozë të dinë nëse ne kishim ndonjë ide mbi planet e Eltonit. Dhe ne përgjigjemi, pa asnjë mëdyshje, se nuk dinim asgjë”, tha familja përmes një deklarate të shpërndarë nga avokatët e saj në Feniks.

Deklarata, e hartuar pjesërisht nga anëtarë të familjes që nuk kanë preferuar të identifikohen, thotë gjithashtu se të afërmit e të ndjerit ndihen “zemërthyer dhe në një gjendje shoku të thellë”.

Ditën e hënë, agjentë të FBI-së kontrolluan banesën e Simpson dhe Soofi në Feniks, si dhe një furgon të parkuar jashtë saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në mediat amerikane, Simpson ishte akuzuar në vitin 2010 se kishte gënjyer agjentët e FBI-së për planin e tij për të vajtur në Somali dhe për t’u përfshirë në një xhihad të dhunshëm.

Një gjyqtar e shpalli atë fajtor për deklaratë të rremë dhe e dënoi me tre vjet liri të mbikëqyrur dhe 600 dollarë gjobë. Gjyqtari tha se, nuk kishte prova të mëtejshme që të vërtetonin përfshirjen e tij në terrorizmin ndërkombëtar.

 

Top Channel