PD, homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve

05/05/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të martë për homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e ditës së 5 Majit.

Basha ka vendosur një kurorë me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, pranë të cilit ka mbajtur edhe një minutë heshtje. Në homazhe ishin të pranishëm edhe deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve ish-kryeministri Berisha, si dhe veteranë.

Në një prononcim për mediat, Basha është shprehur se 5 Maji duhet të shërbejë si një ditë thirrjeje për të gjithë shqiptarët, për të bërë zgjedhjen e duhur në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre.

“Sot rikthehemi në këtë altar të lirisë kombëtare për të kujtuar çmimin e lartë të saj dhe për të përkujtuar ata që dhanë jetën e tyre për lirinë. Liria është vlera më e shtrenjtë për të cilën luftojnë kombet dhe njerëzit. Shumica dërrmuese e dëshmorëve, të atyre që dhanë jetën për çlirimin nga okupatori nazifashist, të atyre që u flijuan në emër të lirisë gjatë terrorit komunist, të mijëra atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës apo për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo Maqedoni, ishin të rinj. Ata patën një zgjedhje, një zgjedhje shumë më të rëndë se ato që me të cilat ballafaqohet rinia sot: të jetonin apo të vdisnin për liri. Ata zgjodhën të flijoheshin për liri. Ne sot kemi zgjedhjen të forcojmë dhe të thellojmë lirinë e qytetarit, lirinë për të punuar, për të prodhuar mirëqënie, për t’u shprehur, për të votuar, për të zgjedhur apo larguar me votë qeverinë. Ose uljen e kokës, zhbërjen e lirisë individuale, që është fillimi i zhbërjes së lirisë shoqërore dhe asaj kombëtare, për të cilën kanë dhënë jetën kaq mijëra shqiptarë në dekada e shekuj”, është shprehur Basha.

Top Channel