Amnesty International: Civilët sirianë, pre e mizorive

05/05/2015 00:00

Civilët në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Alepo, po përjetojnë mizori të paimagjinueshme, – ka denoncuar Amnesty International.

Një raport i ri i grupit pretendon se forcat e qeverisë dhe grupet rebele po kryejnë krime lufte dita-ditës.

Qeveria në vijimësi ka intensifikuar bombardimet e saj në Alepo në javët e fundit, për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës së rebelëve.

Presidenti Bashar al Assad, në një intervistë të dhënë në muajin shkurt për BBC, mohoi kategorikisht që bomba me bombula gazi të jenë përdorur nga forcat e tij.

Gjithsesi, rasti më i fundit i sulmit me mjete të tilla u verifikua të dielën në një shkollë, ku të paktën 10 persona, përfshirë katër fëmijë dhe një mësues, humbën jetën.

Gazetarja vendase, Zaina Erhaim tha për rrjetin informativ britanik të hënën se kishte dëgjuar klithmat e fëmijëve dhe se kishte parë skuadrat e shpëtimit të nxirrnin trupat e viktimave nga rrënojat.

Raporti i Amnesty thotë se nga janari 2014 deri në mars 2015 qeveria siriane ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme me bomba me bombula, që përveç gazit mbushen me eksploziv, karburante të tjera apo copa metali, kryesisht në Alepo.

Objektiva të sulmeve kanë qenë edhe 14 tregje, 12 stacione transporti, 23 xhami, 17 spitale dhe qendra mjekësore, si dhe 3 shkolla.

“Pash fëmijë pa kokë, pjesë trupi të shpërndara gjithandej. Ishte sikur të isha në ferr”, deklaroi një punëtor fabrike, duke përshkruar sulmin në rajonin Al Fardous, më 2014-n.

Shumica e viktimave nga tetë sulmet, sipas hetimeve të kryera nga Amnesty International, ishin civilë.

 

Top Channel