Ambasada e re e SHBA-ve në Prishtinë, Jacobson: Gurthemel i vazhdimësisë së marrëdhënieve tona

05/05/2015 00:00

Në një hapësirë gjigante prej 5 hektarësh, nisi këtë të martë ndërtimi i Ambasadës së re amerikane në Prishtinë. Bëhet fjalë për një objekt diplomatik që, përveç domosdoshmërisë për të ekzistuar, tregon edhe bashkëpunimin dypalësh dhe miqësinë e përhershme mes SHBA-ve dhe Kosovës.

“Në këto 16 vite, ekipi ynë ka punuar me shumë zell për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e vet, në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj ndiej që sot, po e vëmë gurthemelin jo vetëm për një ndërtesë tepër të domosdoshme, por edhe për shënimin e vazhdueshëm të miqësisë sonë”, tha Tracey Ann Jacobson, ambasadore e Amerikës në Prishtinë.

Për projektin dhe faktin sesi do të duket Ambasada amerikane, “flisnin” fotot e vendosura me rastin e vënies së gurthemelit të ndërtesës, ku morën pjesë edhe Presidentja dhe kryeministri i Kosovës.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson solli në vëmendje faktin se, diplomatët amerikanë ishin të vendosur në Prishtinë qysh në vitet ’90.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga falënderoi Shtetet e Bashkuara për kontributin e vazhdueshëm dhe rolin e guximshëm dhe historik për bërjen e Kosovës shtet.

“Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj së keqes dhe sot, si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojnë edhe një fillim të ri. Atë të vendosjes së adresës suaj përfundimtare, si simbol i qëndrueshmërisë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Jahjaga tha se ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë së përhershme amerikane në Kosovë.

Në këtë ceremoni u bë e ditur se, rreth 700 punëtorë kosovarë do të punësohen në ndërtimin e objektit, kostoja e të cilit është 200 milionë dollarë. Qytetarët e Kosovës nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Shkup për t’u pajisur me vizë amerikane, pasi objekti do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të hapur sektorin konsullor.

FOTO GALERI
1/5
Nisin punimet për ndërtimin e godinës së ambasadës amerikane në Prishtinë

Top Channel