Kamëz, Basha prezanton Mziun: Bashkë, për të larguar qeverinë e mashtrimit

05/05/2015 00:00

Me gjithë problemet e hapura me drejtësinë të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, Partia Demokratike beson se do të fitojë një tjetër mandat në këtë zonë, bastion të saj.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po bën çdo përpjekje për të përçarë apo blerë elektoratin në Kamëz, pasi u hakmor politikisht me procesin e hapur ndaj Xhelal Mziut.

“Kjo është qeveria, që nis procese të montuara politikisht kundër Xhelal Mziut, edhe pse nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të vetme, në tendera që nuk janë kryer kurrë”, tha Lulzim Basha.

Por kryeministri Rama nuk u akuzua vetëm për kaq. Në bilancin e opozitës, zoti Rama del si shkelës i premtimeve elektorale, një prej të cilëve ishte ai i bërë në Kamëz, 2 vjet më parë, për legalizime falas.

“Këtu u firmos kontrata e turpshme, kontrata e mashtrimit, se gjoja shqiptarët do të përfitonin legalizime falas. Se, edhe po të çohej Enver Hoxha nga varri, shtëpitë, banesat, bizneset e shqiptarëve nuk do të prekeshin”, shtoi më tej kryetari i opozitës, Basha.

“Ky kryeministër, nga ky shesh premtoi legalizime falas, por sot askush nuk e ka bërë diçka të tillë. Edhe ato 20 veta që kanë marrë leje legalizimi, kanë paguar 2-3 herë më shumë sesa në qeverinë ‘Berisha’. Sot, nga Kamza dhe Paskuqani janë me dhjetëra dhe qindra njerëz në burg, sepse kanë tentuar të lyejnë shtëpinë, apo kanë rregulluar tjegullat e shtëpisë”, tha kryetari aktual i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu.

Kryetari i Partisë Demokratike ishte i bindur se më 21 Qershor, shqiptarët pa dallime politike do të bashkohen rreth opozitës, si një ndëshkim për qeverinë që  nuk mbajti premtimet madhore të fushatës, për legalizime e shëndetësi falas, dhe që po zhyt çdo ditë në mjerim vendin.

“Ne jemi mbledhur në këtë shesh, për t’i thënë njëri-tjetrit, edhe atyre të majtëve, që janë po kështu të papunë si ju, por që janë dyfish më të zhgënjyer se ju, sepse patën besuar ëndrrën, rrenën e Rilindjes. Të djathtë e të majtë jemi të bashkuar si asnjë herë më parë, sepse nuk e pranojmë poshtërimin dhe uljen e kokës, kërbaçin dhe politikën e lakut në fyt. Dhe shqiptarët e kanë në dorë, sepse më 21 Qershor vjen zgjidhja e vërtetë dhe kjo është vota juaj”, tha Basha.

Përpara se të niste takimet me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike u takua me ambasadorin e SHBA-ve, atë të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, por takimi mbetet pa detaje. Ajo që Lulzim Basha tha në Kamëz për këtë takim ishte shprehja e vendosmërisë së opozitës për të mos lejuar devijimin e vullnetit të shqiptarëve, më 21 Qershor.

Top Channel