Fushata, deputetët braktisin Kuvendin, ngërç tek komisionet

05/05/2015 00:00

Zgjedhjet kanë ndikuar tek cilësia e punës së Parlamentit. Rezultati i dukshëm është shtyrja e mbledhjeve të komisioneve për shkak të mungesës së deputetëve.

Një rast konkret është komisioni i ligjeve, i cili duhet të diskutonte disa ligje të rëndësishme, por nuk e ka bërë dot sepse mazhoranca nuk ka patur numrin e nevojshëm të deputetëve për të nisur mbledhjen.

Kjo ndodhi pavarësisht shtyrjes dy herë të orarit të mbledhjes nga kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili spikat me korrektësinë e tij në kohë dhe në sjelljen me gazetarët.

Një nga projektligjet me interes në rendin e ditës ishte nisma e tre deputetëve nga forca të ndryshme politike, Nard Ndoka i PDK-së, Majlinda Riri e LSI-së dhe Kozma Dashi i PD-së, të cilët propozojnë ndryshimin e ligjit për amnistinë.

Aktualisht, ligji amniston vetëm ata që kanë ndërtuar pa leje në tokën e tyre deri në një periudhë të caktuar, por jo ata që kanë ndërtuar pa leje në një truall privat ose publik, të cilët dënohen deri në 5 vjet burg.

Nisma parashikon amnisti për të gjithë këtë kategori që e ka kryer veprën penale deri më 10 prill 2014, me argumentin se shteti nuk mund të përdorë dy standarde, nga njëra anë të legalizojë ndërtimin, nga ana tjetër të penalizojë ndërtuesin, madje edhe në mënyrë selektive.

Kjo nismë ende nuk është diskutuar në komisionin e ligjeve, por gjatë pritjes për krijimin e kuorumit, gazetarët panë të shoqëruar së bashku nismëtarin Nard Ndoka dhe deputetin demokrat Astrit Veliu, i akuzuar për ndërtim pa leje në tokën e tjetrit.

Top Channel