Të fshehtat (jo dhe aq) e Diellit

05/05/2015 00:00

Për egjiptianët njihej si zoti Ra, në Greqinë dhe Romën e lashtë i jepeshin atributet e zotit,  ndërsa aztekët në Amerikën Qendrore, e quanin ‘krijues dhe udhëheqës të parajsës’.

Në një formë a në një tjetër për të gjithë qytetërimet e hershme Dielli shihej si një zot, por me zhvillimin e shoqërisë dhe përhapjen e feve monoteiste, kulti i zotit Diell apo i Diellit zot nisi të venitej e dalëngadalë u zhduk.

Shkencëtarët drejtuan gjithnjë e më shumë sytë nga qielli për të vrojtuar ‘topin e zjarrtë’. Sot dimë më shumë se egjiptianët, romakët, apo grekët e lashtë për yllin e sistemit tonë diellor, por sërish jo mjaftueshëm.

Disa shkencëtarë kanë hedhur hipotezën e guximshme që i faturojnë Diellit një sërë zhvillimesh të rëndësishme në historinë e njerëzimit, që nga revolucioni francez, rus e amerikan. Për ta nuk mund të konsiderohet thjesht rastësi që të gjithë këta revolucione ndodhën përgjatë periudhës me aktivitetin më të madh diellor.

Po ngjyra? Shumica prej nesh (për të mos thënë të gjithë) e sheh të verdhë ose të portokalltë, por në të vërtetë Dielli vetë është i bardhë dhe vetëm në momentin që hyjnë në atmosferën e Tokës, rrezet marrin nuancat që shohim ne.

Ndikon në krijimin e baticave dhe zbaticave, edhe pse jo në nivelin që ndikon Hëna. Për shkak të distancës së madhe, Dielli ndikon thuajse sa gjysma e Hënës në krijimin e baticave dhe zbaticave.

Ditë me diell, ditë e bukur! Jo më kot. Shkencëtarët kanë provuar se rrezet e Diellit ndikojnë në prodhimin e serotininave, që nxisin humorin dhe gjendjen e mirë, por ndihmojnë edhe në prodhimin e vitaminës D dhe forcojnë sistemin imunitar…gjithmonë nëse rrezet merren pa u tepruar.

Top Channel