Vendet e pasura arabe refuzojnë refugjatët sirianë

05/05/2015 00:00

Portat e vendeve arabe nuk janë hapur edhe aq lehtë për sirianët që i largohen luftës së përgjakshme civile në vend. Ngurrimi për të pranuar të ardhurit është i madh, por jo për të gjithë. Refugjatët e pasur thuhet të jenë të mirëpritur.

Sipas UNHCR-së, shumica e sirianëve të shpërngulur janë strehuar në dy vende fqinje me një situatë mjaft të vështirë ekonomike: në Jordani dhe Liban. Turqia, gjithashtu, ka pranuar me mijëra emigrantë sirianë.

Por shtetet e pasura arabe, sidomos ato të Gjirit Persik, janë shfaqur shumë të rezervuara. Europa, e përballur sot me një valë të shtuar klandestinësh, shpreson që shtetet në fjalë të tregohen më të gatshme për të luajtur një rol të rëndësishëm në përballimin e krizës.

Nga ana e tyre, qeveritë e vendeve të Gjirit Persik justifikohen duke thënë se kanë dhuruar miliarda për mbështetjen e refugjatëve arabë në vende të tjera.

Veç kësaj, ka pasur një sërë konferencash të organizuara me qëllim mbledhjen e ndihmave për refugjatët sirianë, e fundit në mars të këtij viti në Kuvajt. Por megjithë donacionet në para, kur vjen fjala tek strehimi i refugjatëve, vendet e Gjirit tërhiqen.

Ngurrimi, sipas zyrtarëve, ka të bëjë më së shumti me frikën e një importimi të problemeve. Megjithatë, vëzhguesit kanë vënë re se kur vjen fjala tek kapitali, vendet arabe të Gjirit Persik nuk e vrasin shumë mendjen për kombësinë dhe i kanë hapur dyert mjaft emigrantëve të pasur, me justikimin se janë pranuar si investitorë.

Refuzimin e këtyre shteteve për të pranuar refugjatë sirianë, organizatat e të drejtave të njeriut e cilësojnë tronditës dhe të turpshëm, aq më tepër kur për shkak të lidhjeve gjuhësore dhe fetare me njerëzit që i largohen shtypjes dhe krimeve të luftës në Siri, ata duhet të ishin të parët që t’u ofronin strehim.

Top Channel