Gjyqi ndaj ish-shefit të Tatimeve, Prokuroria kundër Gjykatës

05/05/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj një vendimi të gjykatës së kryeqytetit, që dënonte 7 të pandehur dhe shfajësonte ish-drejtorin e Tatimeve, Ismail Muça.

Sipas një njoftimi zyrtar, Muça dhe 7 personat e tjerë akuzohen për përfshirje në një skemë mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së, nga e cila kanë përfituar rreth 6 milionë euro disa firma fantazmë.

Në përfundim të gjykimit, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të ish-kreut të Tatimeve, për akuzat e “vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës”, “falsifikim të dokumentEve” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Duke e cilësuar vendimin e gjykatës “absurd”, organi i akuzës së kryeqytetit pretendon se Muça është personi kyç në këtë skemë mashtrimi, pasi urdhëronte kontrollin mbi subjektet fantazmë, niste procedurën e rimbursimit, e miratonte dhe në fund urdhëronte me akte të veçanta kalimin e shumës nga thesari i shtetit tek kompanitë.

Prokuroria pretendon më tej se ka pasur edhe prova ndaj të pandehurit, i cili kishte bashkëpunim të afërt me administratorët e dy kompanive.

 

Top Channel