Protesta në Kukës, Komiteti i Helsinkit: Dhuna, e papranueshme

05/05/2015 00:00

Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar këtë të martë për ngjarjet e ndodhura një ditë më parë në Kukës, gjatë një proteste të organizuar nga shoqëria civile.

KSHH e ka konsideruar të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. “Pamjet e transmetuara nga mediat televizive dhe ato sociale treguan qartë që disa punonjës të policisë, duke tentuar të shpërndajnë tubimin, ushtruan dhunë dhe ndonjë prej tyre kreu dhe veprime të papranueshme, si kërcënimi me armë ndaj protestuesve”, thuhet në reagimin e Komitetit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pasi çmon të nevojshme të theksojë se, liria e tubimeve paqësore dhe pa armë është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, thekson se e drejta e policisë për ndalimin e tubimit mund të ushtrohet vetëm në mënyrë të motivuar dhe në rastet e parashikuara nga ligji.

“I dënojmë këto akte dhune, për më tepër kërcënimin me armë të manifestuesve”, apelon KSHH, sipas të cilit, “raste të tilla duhen shmangur, veçanërisht në situatën aktuale të prag-zgjedhjeve të 21 Qershorit, kur qetësia publike është e domosdoshme për t’u mundësuar zgjedhësve formimin e bindjes së tyre të pavarur për ushtrimin e të drejtës së votës”.

Top Channel