Gjykata Speciale, opozita e mban në Komision, qeveria gati ta votojë

05/05/2015 00:00

Gjithçka është gati, që Kuvendi i Kosovës të hedhë në votim ndryshimet kushtetuese, të cilat priten t’i hapin rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Amendamentet kushtetuese, që lejojnë krijimin e një sistemi të ri të drejtësisë, tanimë kanë marrë “dritën jeshile” të Gjykatës Kushtetuese dhe ndodhen për miratim në Kuvend.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, Komisioni për Legjislacionin duhet t’i shqyrtojë formalisht amendamentet kushtetuese dhe t’i procedojë në seancën plenare të Kuvendit.

Edhe pse ndërkombëtarët po bëjnë thirrje çdo ditë, që Kosova të votojë sa më parë ndryshimet kushtetuese, kryetarja e Komisionit për Legjisdlacionin, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, nuk ka ndërmend të nxitohet për Gjykatën Speciale, e cila siç thotë ajo do ta dëmtojë Kosovën.

“Si kryetare e Komisionit për Legjislacionin kundërshtoj fuqishëm amendamentet e tilla dhe nuk i kam prioritet ato, sepse ne si komision jemi duke u marrë aktualisht me raportet e agjencive të pavarura për të identifikuar problemet e tyre. Po merremi gjithashtu edhe me problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës, ndaj dhe nuk i kemi fare prioritet t’i shqyrtojmë amendamentet e Gjykatës Speciale, duke ditur për më tepër se çfarë dëmi do t’i sjellin Kosovës. Ne si subjekt politik do ta kundërshtojmë këtë, qoftë në Komisionin për Legjislacionin, qoftë në Kuvend dhe shpresojmë që këto amendamente të mos kalojnë, duke ditur që kërkohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacionin.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, në Komisionin për Legjislacion, koalicioni qeveritar i ka votat e mjaftueshme për procedim të amendamenteve në seancë dhe, sipas deputetit të Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, brenda majit Kuvendi do të votojë për to.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet në afatin e rregullt kohor. Këto afate janë plotësuar dhe nuk ka ndonjë pengesë ligjore, që amendamentet të mos shkojnë para Kuvendit të Kosovës. Ne kemi ardhur te një përfundim, që këto amendamente duhet të votohen dhe duhet t’i jepet hapësirë drejtësisë, që kjo çështje njëherë e përgjithmonë të marrë epilogun e drejtësisë dhe të mos mbetet temë e kosovarëve, qoftë politikanëve, jetës së përgjithshme publike, por edhe atyre personale”, tha Armend Zemaj, deputet i LDK.

Derisa Kuvendi i Kosovës të miratojë ndryshimet kushtetuese, mësohet se ekipet përgatitore në Bruksel janë në finalizimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale dhe, sapo Kosova të kryejë detyrat e saj, gjykata mund të nisë menjëherë punën.

Top Channel