F1, Alonso: Të vazhdojmë të përmirësohemi

05/05/2015 00:00

Formula 1 do të kthehet pas 3 javësh pushim me Çmimin e Madh të Spanjës, duke shënuar kështu nisjen e garave në Europë. Kjo do të thotë që Fernando Alonso do të garojë në vendlindje.

“Jam shumë i lumtur që kthehem në Europë. Kemi bërë disa hapa përpara në garat e mëparshme dhe mezi po pres të kthehem në pistë pas 3 javësh”, tha piloti i McLaren Honda, në një komunikatë të skuadrës britanike.

“Kam shpresën se garat e Europës do të jenë pozitive për ne. E rëndësishme është të vazhdojmë të përmirësohemi”, shtoi spanjolli.

Alonso foli edhe për karakteristikat e pistës katalanase: “Më pëlqen shumë, pasi është e shpejtë dhe vë në provë qëndrueshmërinë e njëvendëshes. Edhe pse nuk do të luftoj për fitoren, e di që do të kem mbështetjen e tifozëve dhe e di që do të kaloj një fundjavë të veçantë”.

Fernando Alonso nuk ka marrë asnjë pikë në katër garat e zhvilluara deri tani në Botërorin e Formula 1.

 

Top Channel