Policia greke zbardh të vërtetën tragjike të zhdukjes së 4-vjeçares

05/05/2015 00:00

Ka përfunduar në mënyrën më tragjike të mundshme në Greqi rasti i 4-vjeçares Any, e cila rezultonte e zhdukur që prej datës 21 Prill.

Policia greke mbrëmjen e së hënës njoftoi se ka arrestuar dy prindërit e fëmijës nën akuzën e vrasjes dhe zhdukjes së viktimës. Zhdukja e 4-vjeçares kishte mobilizuar gjithë opinionin grek, madje për gjetjen e saj ishin vënë në kërkim, përveç policisë, edhe shoqata bamirësie dhe fondacione në mbrojtje të fëmijëve.

Policia greke tha se që në momentet e para të denoncimit të zhdukjes së vogelushes, dyshonte se ajo ishte vrarë nga vetë prindërit e saj, që u konfirmua në mënyrën më tragjike gjatë përfundimit të analizave të ADN-së në kampionët e gjakut të gjetura në dyshemenë e shtëpisë, në qendër të Athinës, ku jetonte familja e emigrantëve nga Bullgaria.

Autoritetet greke thanë se janë tronditur prej deklaratave të babait të vogëlushes Any, i cili u tha agjentëve se kishte gjetur të pajetë vajzën e tij në momentin që ishte zgjuar, pasi ishte droguar. Prej frikës që do të akuzohej se kishte vrarë vogelushen, copëtoi trupin e saj dhe e vendosi në një tenxhere për ta hedhur më pas në koshin e plehrave si gjellë e prishur.

Babai vrasës thotë se ka shpërndarë pjesët e trupit të vajzës së tij në disa zona të Athinës, për të zhdukur tërësisht gjurmët. Më pas, së bashku me gruan e tij, e cila në momentin e krimit ndodhej në Bullgari, deklaruan zhdukjen e vogelushes.

Policia që në momentet e para nuk kishte besuar në alibinë e prindërve, ndaj edhe shtoi presionin e saj, deri në pranimin prej prindërve të aktit makabër. Gjatë pasdites autoritetet greke ndaluan edhe nënën e vogëlushes, e cila pranoi se kishte dijeni për mënyrën e zhdukjes së trupit të 4-vjeçares.

Policia thotë se ka pak gjasa të gjendet ndonjë pjesë e trupit të vogëlushes. Ky është një ndër krimet më barbare të ndodhura ndonjëherë në Greqi dhe ngjarja ka tronditur thellë opinionin.

 

Top Channel