Ambasadori Gaiani viziton Burrelin dhe Bulqizën

05/05/2015 00:00

Ambasadori italian Massimo Gaiani ishte këtë të martë në qytetin e Burrelit, ku dhe përuroi një investim të financuar nga IADSA dhe qeveria shqiptare.

I shoqëruar nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, dhe kryebashkiakja e Burrelit, Adelina Farrici, ambasadori Gaiani preu shiritin për përfundimin e fazës së parë të projektit “Ngritja e shërbimeve sociale, shëndetësore, ndërtimi dhe përshtatja e hapësirave të banimit për komunitetin egjiptian, rom dhe familjeve të margjinalizuara në qytetin e Burrelit”, një qendër sociale që do të jetë qendër shëndetësore dhe kopësht.

Kryebashkiakja Adelina Farrici falënderoi Ambasadën e Italisë në Shqipëri për mbështetjen e këtij projekti, ashtu sikurse falënderoi edhe qeverinë shqiptare.

Ambasadori Gaiani tha se, qendra arrin të plotësojë nevojat e mëdha të shtresave në nevojë dhe jo të favorizuara. Ky është edhe misioni i IADSA-s, që t’u qëndrojë sa më afër personave që kanë më shumë nevojë.

Projekti në fjalë kap vlerën e rreth 65 milionë lekëve. Në kompleksin social do të ndërtohen, përveç qendrës shëndetësore, edhe kopshte, çerdhe dhe rreth 40 banesa sociale.

Ambasadori italian Massimo Gaijani, i shoqëruar nga ministri Cani, njëherësh deputet i këtij qarku, vizitoi më pas edhe qytetin e Bulqizës.

Ndalesa e parë e ambasadorit ka qenë në Bashkinë e Bulqizës, ku u prit nga kryetari Myfit Duriçi, nga kandidati i LSI-së për kryetar të ri të saj në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, Melaim Damzi, si dhe nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu.

Më pas, vizita ka vijuar në shkollën 9-vjeçare “Xhevdet Doda”, ku ambasadori italian ka inspektuar punimet që bëhen atje falë investimeve të Fondacionit italian IADSA, me vlerë prej 44 milionë lekë.

Në inspektimin e punimeve të kryera në këtë shkollë për rikonstruksionin total të saj, përfshirë edhe ndërtimin e palestrës, nyjes sanitare, si dhe sistemit të ngrohjes me kaldajë, ambasadori Gaiani u shoqërua nga drejtuesi i punimeve të firmës ndërtuese, Fatmir Mena, i cili ka shpjeguar në detaje të gjitha punimet e kryera dhe ato që priten të kryhen deri në përfundim.

 

Top Channel