Durrës, akuza ndaj Ujësjellës-Kanalizimeve për kontratat kolektive të punës

05/05/2015 00:00

Sindikata e Bashkuar e Punonjësve të Durrësit ka denoncuar publikisht shoqërinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, për prishjen e njëanshme të një marrëdhënieje ligjore 20-vjeçare midis tyre, që konsistonte në lidhjen e kontratës kolektive të punës.

Kryesindikalistja Drita Gjinali thotë se, në prag të fushatës elektorale, ky është një akt dhe presion politik ndaj punonjësve, për t’i detyruar të firmosin një kontratë tjetër kolektive, anonime dhe të dyshimtë.

Gjinali e konsideron këtë një shkelje të rëndë kushtetuese, ndërsa Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, përmes një njoftimi për shtyp deklaron se kontrata kolektive e punës së lidhur me Sindikatën e Bashkuar të Punonjësve Durrës ka përfunduar që në Prill të vitit 2013 dhe nuk ka pasur kërkesë për rinovimin e saj nga kjo sindikatë.

Në këto kushte është hartuar një kontratë e re me Këshillin sindikal të Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Ndërtimit, Zhvillimit Urban dhe Administratës Publike të Shqipërisë, me përfaqësues Kujtim Myrtaj.

Ky deklarim kundërshtohet nga Gjinali, që thotë se në vitin 2014, sindikata që përfaqëson ka kërkuar nënshkrimin e kontratës, por nuk ka marrë përgjigje në lidhje me të.

Top Channel