Mike Huckabee shpall kandidaturën republikane “anti Hillary Clinton”

05/05/2015 00:00

Mike Huckabee, i cili shkëlqeu duke marrë votat e besimtarëve evangjelistë (ungjillorë) në garën e tij të parë për Presidencialet e vitit 2008, e që vijon të gëzojë mbështetjen e tyre, shpalli këtë të martë kandidimin e tij për të siguruar përfaqësimin e republikanëve.

Një ish-pastor i Baptistit Jugor dhe guvernator i Arkansasit, Huckabee është rikthyer me shpresën për të dominuar sërish mes konservatorëve socialë, por ai është mëse i ndërgjegjshëm se do t’i duhet një mbështetje edhe më e gjerë, në mënyrë që të shmangë kurthet e herës së fundit, kur ai mbeti pa fonde për të financuar fushatën e tij dhe dështoi të apelonte për kandidaturën e tij më larg sesa zona ku shërbeu si pastor.

Pasi e përshkroi fëmijërinë e tij si një besimtar, udhëtimet për peshkime dhe kandidimin për të qenë student i këshillit të Hope, Huckabee tha se “duket gjithçka e kompletuar aktualisht, që të deklaroj se jam një prej kandidatëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
 
Gjithsesi, nuk ishte thjesht një detaj i vogël, fakti që ai e deklaroi kandidaturën e tij në Hope, vendlindjen e tij. Fama e tij si vendi i një tjetër politikani të shquar të Arkansasit, Bill Clinton, nënvizon një çështje kryesore për fushatën e Huckabee për Presidencialet e 2016-s. Ai ndihet i përshtatshëm për të qenë ndëshkuesi i duhur i Hillary Rodham Clinton, nëse ajo do të fitojë kandidaturën e demokratëve, për shkak se Huckabee kaloi vite të tëra në politikat shtetërore, duke triumfuar edhe ndaj asaj që ai e quan “makineria Clinton”.

Ditën kur ish-Sekretarja e Shtetit, Clinton shpalli kandidaturën e saj, muajin e kaluar, Huckabee shkroi në “Twitter” një reagim të tijin. “Shpallja jote më bën nostalgjik për ditët tona të betejës politike në Arkansas”.

Pikëpyetja më e madhe për votuesit është fakti se Huckabee, 59 vjeç, i cili u duk se i dha fund karrierës së tij politike duke mos kandiduar në Presidencialet e 2012-s, përse ai është rikthyer tashmë në këtë betejë.

Sondazhet e fundit mes republikanëve të Iowa-s e vendosin mes preferencave kryesore Huckabee, edhe pse në disa shtete të tjera ai është parakaluar nga figura më të shquara të partisë, përfshi Scott Walker dhe Jeb Bush.

Top Channel