Maqedoni, Zaev njofton protesta. Kërkon mbështetjen e qytetarëve kundër Gruevskit

05/05/2015 00:00

Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev vlerëson se beteja për kthimin e normalitetit në Maqedoni nuk mund të fitohet pa mbështetjen masive të qytetarëve.

Ai theksoi se, bartës i procesit për rikthimin e lirisë dhe demokracisë në vend duhet të jetë populli. Lideri opozitar shpreson se do ta detyrojë kryeministrin Gruevski të largohet nga pushteti, përmes protestave paqësore që do të nisin më 17 Maj.

“Beteja jonë nuk është për pushtet. Ne po zhvillojmë një betejë për të pasur të gjithë një vend demokratik, për të kthyer lirinë dhe demokracinë. Përmes protestave masive që do të organizojmë, qytetarët do të kenë mundësi të shfaqin pakënaqësinë ndaj pushtetit të Gruevskit. Ne do të angazhohemi për institucione, që do të zbatojnë zgjedhje të lira, ku qeverinë do ta zgjedhë populli”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë, lideri opozitar ka vazhduar me publikimin e materialeve nga skandali i përgjimeve. Ai ka prezantuar këtë të martë para medieve, disa bisedave të përgjuara të kryeministrit Nikolla Gruevski, ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov.

Zaev tha se këto materiale zbulojnë tentativën e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të fshehur vrasjen e të riut maqedonas, Martin Neshkovski, nga ana e një pjesëtari të policisë, që ndodhi 4 vite më parë, në një kohë që partia VMRO-DPMNE po festonte në sheshin e Shkupit fitoren në zgjedhjet e vitit 2011.

Top Channel