Guardiola: S’ka trajner që mund ta ndalë Messi-n

05/05/2015 00:00

Pep Guardiola është rikthyer në “Camp Nou” për herë të parë që kur iku nga Barcelona. Ai pranoi se kjo ndeshje do të jetë speciale, për vetë faktin që ka qenë pjesë e skuadrës në njërën nga periudhat më të ndritura të saj.

“Jam ulur në këtë karrike për katër vite, është diçka e bukur që jam kthyer. Është një ndeshje speciale sepse kam shumë kujtime të mira me Barcelonën. Tani jam trajner i Bayern-it dhe do të mundohem të bëj më të mirën për skuadrën time”, tha Guardiola.

Tekniku spanjoll e di që duhet të përballet me tre sulmuesit më të mirë në botë, veçanërisht me katër herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi-n, për të cilin thotë se nuk ka formulë se si mund të ndalet. “Nuk ka trajner apo mënyrë loje që mund ta ndalë Messi-n. Ai është një talent dhe nuk mund të ndalet. Mund të bësh të pamundurën, mund të mbyllësh të gjitha korridoret, por prapë kjo nuk mjafton”, deklaroi trajneri Bayern-it.

Guardiola ka dhënë informacionet e fundit në lidhje me rikuperimin e Lewandowski-t, dukë thënë se është stërvitur me skuadrën. “Lewandowski është stërvitur dje dhe të njëjtën gjë do e bëjë edhe sot. Më duhet të flas edhe njëherë me të dhe do të vendos. Nëse ndjehet mirë me maskë, atëherë do të luajë. Unë një gjë e di, që në fushë më duhen 11 lojtarë që duhet të japin 100% nga vetja”, vazhdoi ai.

Pep është pyetur nëse do të festojë golat e Bayern-it, por tekniku ka bërë një devijim, duke thënë se respekti i tij për Barcelonën nuk matet nga gjëra të vogla dhe se kanë ardhur për t’u kualifikuar për finalen, gjë që do ta bënte të lumtur.

Top Channel