Drejtësia, ekspertët: Kaotik trekëndëshi KLD-Ministri-Konferencë Gjyqësore

05/05/2015 00:00

Rruga që ndjekin gjyqtarët për në Gjykatën e Lartë nuk është e duhura, e është pikërisht kjo arsyeja, përse situata vijon të mbetet pa zgjidhje. Por, ky nuk është i vetmi problem.

Gjykata e Lartë po mbingarkohet nga fluksi i rekurseve, çka do të thotë se janë të nevojshme ndryshimet ligjore, që do të mund t’i jepnin kuptim më të plotë vendimit të formës së prerë, të shpallur nga Gjykata e Apelit.

“Përzgjedhja e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe procedurat e ndjekura deri në miratimin e tyre ka shfaqur problematika dhe gjithsesi kanë rezultuar të pamjaftueshme për të përzgjedhur kandidatët më të mirë. Së dyti, edhe pse ka pasur disa ndryshime në Kushtetutë dhe në legjislacion gjatë vitit 2013 për të përmirësuar gjendjen, ato nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Tani mbeten në pritje për të gjetur zbatim edhe amendamentet e fundit që i janë bërë ligjit për Gjykatën e Lartë, për sa i përket krijimit të një strukture të posaçme që quhet Këshilli i Emërimeve, një organ këshillimor, i cili duhet të ndihmojë Presidentin në përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë për Gjykatën e Lartë, në funksion të transparencës dhe procesit të emërimit të tyre”, tha Ardian Dvorani, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Kaotike shikohet edhe trioja e përbërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë dhe Konferenca Gjyqësore, të cilat duhet të administrojnë e qeverisin në njëfarë mënyre gjyqësorin.

“Në përgjithësi, Konferenca Kombëtare Gjyqësore ka ushtruar funksionin e saj imediat, kushtetues, të përzgjedhjes së anëtarëve përfaqësues të gjyqësorit, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por nuk ka arritur të kryejë funksione të tjera të rëndësishme, siç është ngritja dhe funksionimi i një sistemi efikas të etikës në radhët e gjyqësorit. Ndoshta kjo ishte pritshmëria më e madhe, për pasojë edhe dështimi më i madh i KKGJ-së”, tha Gent Ibrahimi, konstitucionalist.

Në gjykatat e shkallëve të tjera, problemi më serioz dhe që i bashkon të gjitha në një rutinë është ‘zvarritjet e proceseve gjyqësore’. Ky efekt ka kapur madje edhe Gjykatën Administative, pavarësisht se u krijua për të qenë një gjykatë e shpejtë.

Por ndërsa për Gjykatat Administrative po mendohet nëse duhet shtuar numri i gjyqtarëve apo duhet riparë ligji për t’i kthyer në gjykata me kompetenca më të qarta, cilat është zgjidhja për gjykatat e zakonshme?

“Do të kishte nevojë për ndryshime në procedurat përkatëse, penale dhe civile, sidomos civile, me qëllim që një pjesë e mirë e asaj çka bëhet sot në gjykim të kryhej apo realizohej që në fazën e veprimeve përgatitore nga gjykata, e pastaj seanca gjyqësore – gjithmonë duke iu referuar parimit të seancës së pandërprerë, – të zhvillohej sa më shpejt dhe në mënyrë të pandërprerë”, tha Adrian Nuni, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Por, edhe atëherë kur drejtësia ia del mbanë të flasë, ekzekutimi i këtyre vendimeve kryhet me vonesë. Veçanërisht për ato verdikte, ku palë e paditur është shteti.

“Është evidentuar, që nuk është ngritur një sistem efikas për monitorimin, si të përmbarimit gjyqësor privat, ashtu edhe atij shtetëror”, tha Etilda Gjoni, eksperte.

“Ligji përkatës për administratën gjyqësore është shfuqizuar në Gjykatën Kushtetuese në fillim të vitit 2014 dhe nuk është miratuar ende një ligj i ri”, tha Ilir Panda, ekspert.

Këto gjetje u deklaruan në tryezën e dyte të ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët gjatë gjithë javës do të diskutojnë për reformën në drejtësi.

Top Channel