Wolff: Rosberg do të rivalizojë sërish me Hamiltonin

05/05/2015 00:00

Lewis Hamilton nuk e ka fituar ende Botërorin dhe Nico Rosberg shumë shpejt do të kthehet në nivele të larta për të rivalizuar me të.

Është i bindur për këtë shefi i skuadrës së Mercedesit, Toto Wolff. Ndryshe nga sa ndodhi Botërorin e kaluar, këtë vit Rosberg e ka shumë më të vështirë të mbajë hapin e Hamilton dhe kjo duket edhe nga rezultatet e shënuara prej tyre pas 4 garave të para. Hamilton ka arritur të fitojë 4 pole position dhe 3 gara, ndërsa Rosberg ka regjistruar vetëm 1 pole position, atë në Sepang.

Testi i radhës për pilotët e Formula 1 është Çmimi i Madh i Spanjës dhe sipas Wolff, Rosberg do të shfaqet shumë më mirë në pistë.

“Po të shohim paraqitjet e bëra nga Hamilton dhe Rosberg në Kinë, diferenca mes tyre ishte vetëm 40 të mijtat, pra nuk është një diferencë që tregon disfatë. Nëse do të ishte Rosberg fitues i provave zyrtare, do të kishim parë një tjetër garë. Unë pres që Rosberg të kthehet në nivelet më të larta. Nuk e di se kur, por kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe për këtë nuk kam aspak dyshim”, tha Wolff.

Top Channel